Si prodhohet djathi, një ndër specialitetet e Qumështores Gexha
Negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë diskutuar një objektiv ambicioz që Rusia dhe Ukraina të bien dakord për një marrëveshje paqeje në muajin mars, megjithëse ky afat pritet të shtyhet për shkak të mungesës së konsensusit mbi çështjen kyçe të territorit.
Reuters shkruan se sipas kuadrit që po diskutohet nga SHBA-të dhe Ukraina, çdo marrëveshje do t’i nënshtrohej një referendumi nga votuesit ukrainas, të cilët njëkohësisht do të votonin edhe në zgjedhje kombëtare.
Ekipi negociator amerikan, i udhëhequr nga i dërguari special Steve Ëitkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, u ka shprehur palëve ukrainase në takime të fundit në Abu Dhabi dhe Miami se do të ishte më mirë që votimi të zhvillohej sa më shpejt.
Negociatorët amerikanë kanë theksuar se Trump pritet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te çështjet e brendshme me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit në Kongres në nëntor, çka do të thotë se zyrtarët e lartë amerikanë do të kenë më pak kohë dhe kapital politik për të finalizuar një marrëveshje paqeje.
Një raund i dytë bisedimesh i ndërmjetësuar nga SHBA-të përfundoi të enjten në Abu Dhabi me lirimin e 314 robërve të luftës dhe një angazhim për të rifilluar diskutimet së shpejti. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se takimi i ardhshëm trepalësh pritet të zhvillohet së shpejti në Shtetet e Bashkuara.
Dy burime për Reuters thanë se zyrtarët amerikanë dhe ukrainas kanë diskutuar mundësinë që zgjedhjet kombëtare dhe referendumi të mbahen në muajin maj. Por disa burime të përfshira në negociata e përshkruan afatin e propozuar nga SHBA-të si jorealist.
Autoritetet zgjedhore ukrainase kanë vlerësuar se do të duheshin rreth gjashtë muaj për të organizuar zgjedhje në kushtet aktuale. “Amerikanët janë me nxitim”, tha një burim, duke shtuar se edhe pse zgjedhjet mund të organizohen në më pak se gjashtë muaj, do të kërkonin sërish kohë të konsiderueshme.
Organizimi i zgjedhjeve do të kërkonte ndryshime ligjore, pasi votime të tilla janë të ndaluara gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Ukrainë. Gjithashtu, procesi do të ishte i kushtueshëm.
Ukraina kërkon armëpushim gjatë gjithë fushatës zgjedhore për të garantuar integritetin e referendumit dhe thekson se Kremlini ka një histori të thyerjes së marrëveshjeve për ndaljen e luftimeve.
“Qëndrimi i Kievit është se asgjë nuk mund të bihet dakord pa u vendosur më parë garancitë e sigurisë për Ukrainën nga SHBA-të dhe partnerët”, tha burimi.
Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte. Zyra e presidentit ukrainas dhe ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Skepticizëm për afatin e paqes
Ndërsa Ukraina ka dërguar përfaqësues të lartë politikë në bisedime, përfshirë shefin e kabinetit të Zelensky-t dhe drejtuesin e grupit të tij parlamentar, ekipi negociator rus është i përqendruar te aspekti ushtarak dhe udhëhiqet nga shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU, admirali Igor Kostyukov.
Zëvendësi i tij, gjenerallejtënant Vladimir Alexeyev, u qëllua të premten në Moskë nga një autor i panjohur. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën për atentat, duke thënë se synimi ishte sabotimi i bisedimeve të paqes. Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha i tha Reuters se Kievi nuk kishte asnjë lidhje me sulmin.
Një zyrtar ukrainas tha se Zelensky është i hapur ndaj idesë së zgjedhjeve në një afat të afërt, një kërkesë që është shfaqur shpesh nga SHBA-të që kur Trump mori detyrën në janar 2025. Sipas tij, edhe pse mbështetja për Zelensky-n ka rënë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022, ajo mbetet mbi 50% dhe presidenti është i bindur se do të fitonte.
Pengesa më e madhe për një paqe të shpejtë mbetet paqartësia mbi fatin e rajonit lindor të Donbasit. Rusia kërkon kontrollin e plotë të Donbasit si pjesë e çdo marrëveshjeje, edhe pse Ukraina ende kontrollon mbi 2,000 milje katrore të territorit. Kievi e cilëson këtë kërkesë të papranueshme, por ka shprehur gatishmëri për të shqyrtuar zgjidhje kreative, si një zonë e çmilitarizuar apo e tregtisë së lirë.
“Nuk ka ende përparim për çështjen territoriale”, tha një burim.
Një tjetër pikë bllokimi është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i ndodhur në territor të pushtuar nga Rusia. Moska ka kundërshtuar një propozim amerikan sipas të cilit SHBA-të do të kontrollonin centralin dhe do të shpërndanin energjinë si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën. Rusia këmbëngul që ta kontrollojë vetë centralin, duke ofruar energji të lirë për Ukrainën, një ide që Kievi e refuzon.
Edhe nëse këto çështje zgjidhen, votuesit ukrainas mund të refuzojnë çdo lëshim territorial në referendum. Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe pjesë të Donbasit të pushtuara para vitit 2022. Analistët vlerësojnë se Rusia ka fituar rreth 1.3% të territorit ukrainas që nga fillimi i vitit 2023. Sondazhet tregojnë se shumica e ukrainasve kundërshtojnë lëshimet territoriale edhe në këmbim të garancive të sigurisë nga Perëndimi, megjithëse kjo shumicë është ngushtuar lehtë gjatë vitit të fundit. /tvklan.al