Osmani: Serbia ka përdorur taktikën e pengimit që të mos flitet për marrëveshje finale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev, ka deklaruar se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”.

E para e shtetit, konsideron se pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Bullgarisë Rumen Radev.

Osmani shtoi se, “interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë që është e mundur”.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev deklaroi se Bullgaria do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive për një angazhim edhe më të madh të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

“Vendi ynë mirëpret përpjekjet e lidershipit shtetëror dhe publikut në Kosovë për integrim të plotë evropian dhe të gjitha hapat për vazhdimin e reformave, për forcimin e institucioneve shtetërore, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si kyçe për anëtarësimin e ardhshëm në BE”, ka thënë Radev.

Ai gjithashtu u shpreh se falë përpjekjeve të Bullgarisë në muajt e fundit, BE-ja ka ndërmarrë hapa më të rëndësishëm për të mbështetur rajonin.

“Jo vetëm për të rritur sigurinë, por edhe për të kapërcyer dhe zbutur krizën energjetike dhe për të stimuluar zhvillimin socio-ekonomik të rajonit. Presim që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të dëshmojnë në një proces të vazhdueshëm përkushtimin e tyre ndaj parimeve dhe vlerave të BE-së, duke demonstruar një përkushtim të qartë ndaj vlerave evropiane dhe duke respektuar parimet e fqinjësisë së mirë, tha presidenti Radev”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për një vizitë dy ditore në Bullgari, me ftesë të homolgut të saj, Rumen Radev, ka njoftuar Zyra e Presidentit.

Përveç takimit privat me Radev, Osmani do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Ndërkaq, Osmani do të nderohet nga kryetarja e Sofjes, Yordanka Fandakova me “Çelësin e Sofjes”.“Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, Presidentes Osmani do t`i dhurohet Çelësi i Sofjes”.

“Në agjendën e vizitës së Presidentes Osmani në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë”, thuhet tutje.

Osmani, gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet./Albanianpost.com

Read Previous

A do të bie Juventusi në Serie B, çfarë do të ndodhë me klubin pas dorëheqjes se krerëve?

Read Next

Ronaldo thuhet se ka arritur marrëveshje me klubin arab për 200 milionë euro në vit