Osmani e Kurti presin në takim ambasadorin e Katarit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pritur sot në takime të ndara ambasadorin jorezident të Katarit në Kosovë, Ali bin Hamad Al-Marri.

Presidenca ka njoftuar se në këtë takim Osmani ka kërkuar që ky shtet ta vazhdojë edhe më tej mbështetjen ndaj Kosovës me thellimin e marrëdhënieve jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik, në fushën e shëndetësisë, turizmit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

“Më tej në takim, Presidentja Omani ka theksuar se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për investime të huaja, ndaj ka kërkuar nga ambasadori Al-Marri që investitorët nga Katari ta shohin mundësinë e investimeve eventuale”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se potenciali për rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve ishte në qendër të takimit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ambasadorit Hamad Al-Marri.

“Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Katarit, Ambasadori Al-Marri theksoi përkushtimin e tij për t’i konsoliduar edhe më tej këto marrëdhënie në frymën e bashkëpunimit, në të gjitha fushat”.

Kurti thuhet se ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e dhënë për Republikën e Kosovës, si dhe për mbështetjen e dhënë në skenën ndërkombëtare.

“Duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë në vend, Kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë për shtim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare. Në takim u bisedua për mundësitë që ofron vendi ynë për investime në sektorët me interes për të dyja vendet”.

“Ambasadori Al-Marri falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe duke thënë se Republika e Kosovës është shtet mik, ritheksoi vullnetin dhe angazhimin e tij për të rritur bashkëpunimin”, përfundon komunikata. /Telegrafi/

Read Previous

Interesimi i nënave për të ushqyer fëmijët me gji është në rritje

Read Next

Krasniqi: SHSKUK-ja pa punëtorë të rinj që nga viti 2019