Origjina e Covid: Pse Kina refuzoi kërkesën e OBSH-së?

Qeveria kineze nuk do të marrë pjesë në një fazë të dytë të hetimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për origjinën e Covid-19, u shpreh një zyrtar i lartë shëndetësor, pasi në propozim u përfshi mundësia e daljes së virusit nga një laborator i Wuhan.

Zeng Yixin, nënkryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, tha në një konferencë shtypi në Pekin ai ishte “i befasuar” kur dëgjoi daljen nga laboratori të renditur si një objektiv kërkimi për fazën e dytë të hetimit.

“Në disa aspekte, plani i OBSH-së për fazën tjetër të hetimit të origjinës së koronavirusit nuk respekton arsyen e shëndoshë dhe është kundër shkencës. Është e pamundur që ne të pranojmë një plan të tillë,” tha ai.

Zeng gjithashtu u përgjigj për pretendimet e Departamentit të Shtetit të SH.B.A.-së se disa punëtorë në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV)  u sëmurën pak para rasteve të para të dokumentuara me  Covid-19, duke thënë se “asnjë punonjës ose studiues në WIV nuk u infektua nga koronavirusi”.

OBSH publikoi një raport fillestar nga hetimi mbi origjinën e Covid-19 në mars. Ekipi i ekspertëve të OBSH-së që udhëtoi drejt Kinës tha se me shumë gjasë, koronavirusi është transmetuar nga lakuriqët e natës te njerëzit përmes një kafshe tjetër. Por një numër në rritje i kombeve perëndimore, përfshirë udhëheqësit e G7, kanë vënë në dyshim tërësinë e raportit origjinal.

Pak ditë më parë, kreu i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, propozoi auditimin të laboratorëve në Kinë gjatë një takimi me vendet anëtare të organizatës. Ai tha se për të çuar hetimin përpara ishte e nevojshme të kryheshin “kontrolle të laboratorëve përkatës dhe institucioneve kërkimore aktive në rajonin ku rastet e para u identifikuan në dhjetor të vitit 2019”.

Kërkesa e tij erdhi një ditë pasi tha se ishte e parakohshme të përjashtohej një lidhje e mundshme midis pandemisë dhe një “rrjedhjeje laboratorike”. Ai gjithashtu nxiti Kinën që të ishte më transparente, duke nënvizuar se aksesi në të dhënat e papërpunuara ishte një sfidë për ekipin ndërkombëtar që udhëtoi në Kinë në fillim të këtij viti për të hetuar burimin e Covid-19./Anabelmagazine

Read Previous

Pezullohet vendimi i tiketës ngjitëse

Read Next

Mbushet qyteti me bashkatdhetarë