Operacion antidrogë në Shqipëri, arrestohet vëllai i deputetit socialist

Policia e Lezhës ka zbuluar një stan të përshtatur si shtëpi bari për kultivimin e kanabisit.

Lidhur me këtë veprimtari të paligjshme u arrestuan 2 persona, mes të cilëve shtetasi Armando Ndreca, vëllai i deputetit socialist Eduard Ndreca.

Policia tha se gjatë operacionit, në pyjet e fshatit Kashnjet, u zbulua një ambient (stan) i përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa.

Nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.

“Gjithashtu, u bënë të mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. N., 27 vjeç dhe E. Sh., 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi A. N., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, Policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë”, bëri me dije policia. /Telegrafi/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Policia shqipton mbi 600 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Read Next

Murati: Miratohet bartja e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove