OAK me propozime për rimëkëmbjen ekonomike: Subvencionim të pagës për bizneset e goditura

Oda e Afarizmit të Kosovës po kërkon nga qeveria e ardhshme që të subvencionojë pagat e punëtorëve të bizneseve të cilat janë goditur nga pandemia. Ndërkohë që sipas OAK këto paga të subvencionuara nuk duhet të jenë më të ulëta se 220 euro, ose mbulim i 70 përqind të pagës. Kërkesë tjetër është edhe krijimi i Gjykatës Ekonomike, Ligji për Tregti të Brendshme dhe që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikës e Kosovës.

Këto janë vetëm disa nga kërkesat që OAK ka për qeverinë e ardhshme, e si të tilla do të t’iu dorëzohen edhe partive politike javën e ardhshme.

Kryetari i bordit të OAK, Skënder Krasniqi, ka thënë se ofrimi i përkrahjes së institucioneve në kohë pandemie për bizneset e Kosovës ka qenë i mangët dhe se kjo ka shkaktuar sfida të shumta për to.

Krasniqi: Vetëm në tremujorin e dytë të vitit të kaluar kemi humbur mbi 60 mijë vende të punës

“Jemi të vetëdijshëm se vetëm vitin e kaluar, vetëm në tremujorin e dytë kemi humbur mbi 60 mijë vende të punës, me të cilat jemi praktikisht shteti me më së shumti humbje të vendeve të punës, si rezultat i mospërkrahjes të mjaftueshme të shtetit për bizneset edhe në kohë reale kur do të duhej të intervenohej”, ka deklaruar ai.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka bërë disa propozime për partitë politike, të cilat mund të përfshihen në plan programet e tyre në mënyrë që bizneset të ndryshojnë për të mirë. Në mesin e këtyre kërkesave, me theks të veçantë është edhe subvencionimi i pagave të të punësuarit në bizneset që janë të goditura nga pandemia.

Krasniqi: Propozim konkret është që të subvencionohen pagat për të punësuarit

“Propozim konkret është që të subvencionohen pagat për të punësuarit e bizneseve të goditura nga pandemia, dhe që të jenë jo më të ulëta se 220 euro në muaj ose 70 përqind të pagës. Krijimi i arkës ‘Patriot’ që kemi insistuar dhe insistojmë vazhdimisht ku çdo produkt vendor subvencionohet në dalje me 10 përqind ulje nga TVSh. Me këtë do të subvencionohet shumë prodhimi vendor dhe do të kenë mundësinë jo vetëm të ruajtjes së vendit të punës, por edhe rritje të vendeve të punës në Kosovë. Marrë parasysh që Kosova është vendi i vetëm ku 90 përqind importon dhe 10 përqind eksporton. Të subvencionohet eksporti me 10 përqind të shumës së eksportuar”, ka thënë Krasniqi.

Në mesin e propozimeve për qeverinë e ardhshme, OAK ka kërkuar edhe që deklarimi dhe pagesa e TVSh-së të bëhet për çdo tre muaj. Sipas Krasniqit, kjo si rezultat i mosfunksionimit të gjykatave dhe mosekzistimit të Ligjit për Falimentimin dhe vonesave të mëdha të pagesave nga ana e debitorëve.

Veç tjerash, Krasniqi tha se OAK kërkon nga qeveria e ardhshme që të largohet kamata prej 5 deri në 8 përqind nga bankat komerciale për kthimin e parave të imëta në kartëmonedha.

Krasniqi: Ligji për Tregti të Brendshme është një ligj që i mungon shumë Kosovës

“Ligji për Tregti të Brendshme është një ligj që i mungon shumë Kosovës dhe me këtë shteti ka krijuar anarki në biznes ku çdo 50 metra hapet një shitore apo 10 metra, çdo 50 metra hapet një pompë e benzinës dhe me këtë realisht shteti nuk po e luan rolin e vet që duhet ta luajë. Mungesa e këtij ligji është duke sjell këtë gjendje dhe ne kërkojmë që të kemi një Ligj për Tregti të Brendshme dhe asnjë vendim dhe leje mos të jepet pa një analizë se a ka nevojë ajo rrugë apo ajo lagje të ketë më shumë shitore apo lokale. Kërkesë tjetër është edhe Ligji për Falimentim. Edhe me këtë po dëmtojnë bizneset sepse po punojnë vetëm me biznese jo të rregullta për të cilat shteti nuk reagon”, ka theksuar ai.

Kryetari i bordit të OAK-ut theksoi se Kosova është i vetmi vend që detyron biznesin të paguajë për 6 muaj pushimin e lehonisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë biznesi paguan dy paga. E që kjo sipas tij, ka ndikuar edhe që numri i të punësuarve gra të jetë i ulët, vetëm 13 përqind e tyre që janë në moshë pune janë të punësuara.

Krasniqi shtoi se kërkesë e tyre është edhe që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikës e Kosovës.

Krasniqi: Është marrëveshje më e dëmshme që iu ka krijuar Kosovës

“Kemi kërkuar dhe kërkojmë që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK sepse ne ka 12 vite dhe po hyjmë në vitin e 13 që jemi shtet i pavarur dhe jemi duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës. Me këtë përfiton Kosova sepse me futjen si Republikë e Kosovës ne do të kemi mundësi të lobojmë që shumë produkte tona t’i mbrojmë siç i kanë mbrojtur vendet e rajonit. Marrëveshja që është nënshkruar në vitin 2006 nga CEFTA, është marrëveshje më e dëmshme që iu ka krijuar Kosovës sepse me atë marrëveshje nuk e kemi mbrojtur asnjë produkt vendor me çka të gjitha vendet e rajonit kanë sjellë produkte në Kosovë pa doganë. Kurse ne nuk kemi mundur të eksportojmë për shkak se të gjitha vendet e rajonit i kanë mbrojtur produktet e veta”, ka përfunduar ai.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga qeveria e ardhshme që të zvogëlojë tarifën e shumës së paguar nga qytetarët në bizneseve nëpërmjet posave nga 1-3 për qind të shumës. Po ashtu, të iu mundësohet marrja e kredive për investime afatmesme me grejs periudhë, minimum 12 muaj dhe me kamata vjetore nën 3 përqind duke shfrytëzuar Fondin për garancinë kreditore dhe të ulet norma bazë e interesit të BQK-së në 1.7 për qind në mënyrë që bankat komerciale të kenë mundësi që të ulin kamatat e tyre./KosovaPress.

Read Previous

​Tentoi t’i jap ryshfet policit, një muaj paraburgim

Read Next

​Nagavci: Qeveria Kurti 2 është realitet i ri