Një tjetër rekord për LeBron James, 22 herë rresht në All-Star të NBA-së

LeBron James u përzgjodh të dielën për herë të 22-të radhazi në NBA All-Star Game, me yllin 41-vjeçar të Los Angeles Lakers që u përfshi mes rezervave nga Konferenca e Perëndimit. James nuk u zgjodh titullar, por u përfshi mes shtatë rezervave nga të dyja konferencat, të përzgjedhur nga trajnerët kryesorë të NBA-së.

NBA All-Star Game i 75-të do të zhvillohet më 15 shkurt në Los Angeles dhe këtë vit do të ketë një format të ri turneu, me një ekip Botëror dhe dy ekipe me yje nga SHBA-ja, ku çdo skuadër do të ketë të paktën tetë lojtarë.

James, shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në NBA, katër herë MVP i ligës dhe katër herë kampion, po regjistron mesatarisht 21.9 pikë, 6.6 asistime, 5.8 kërcime dhe 1.1 vjedhje për ndeshje në 30 paraqitje me Lakers, që kanë bilanc 29 fitore dhe 18 humbje. Megjithatë, veterani është penguar nga dëmtimet dhe statusi i tij si All-Star ishte vënë në pikëpyetje nga shumëkush.

Pavarësisht kësaj, James iu bashkua grupit të rezervave të Perëndimit, ku përfshihen gjithashtu Anthony Edwards (Minnesota), Jamal Murray (Denver, Kanada), Chet Holmgren (Oklahoma City), Kevin Durant (Houston), Devin Booker (Phoenix) dhe Deni Avdija (Portland, Izrael).

Rezervat e Konferencës së Lindjes përfshijnë Jalen Johnson (Atlanta), Donovan Mitchell (Cleveland), Karl-Anthony Towns (New York), Pascal Siakam (Indiana, Kamerun), Norman Powell (Miami), Scottie Barnes (Toronto) dhe Jalen Duren (Detroit).

Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, do të përzgjedhë çdo zëvendësim për shkak dëmtimi ose shtesë në listat e All-Star.

Titullarët e shpallur muajin e kaluar nga Perëndimi janë Shai Gilgeous-Alexander (Oklahoma City, Kanada), Luka Dončić (Los Angeles Lakers, Slloveni), Nikola Jokić (Denver, Serbi), Stephen Curry (Golden State) dhe Victor Wembanyama (San Antonio, Francë).

Nga Lindja, All-Starët titullarë janë Giannis Antetokounmpo (Milwaukee, Greqi), Jaylen Brown (Boston), Tyrese Maxey (Philadelphia), Jalen Brunson (New York) dhe Cade Cunningham (Detroit). /Albanianpost.com

Read Previous

PZAP pranon shtatë ankesa ndaj KQZ-së për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Read Next

​Çfarë dihet për dosjet Epstein?