Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Në vitin 2025, energjia e prodhuar nga era dhe dielli ka tejkaluar për herë të parë prodhimin e energjisë nga lëndët fosile në Bashkimin Evropian.
Sipas raportit vjetor European Electricity Review të publikuar nga think tank-u energjetik Ember, këto dy burime gjeneruan një rekord prej 30% të energjisë elektrike në BE, krahasuar me 29% që erdhi nga burimet fosile.
Autorja e raportit, Beatrice Petrovich, e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik që tregon shpejtësinë me të cilën BE-ja po kalon drejt një sistemi energjetik të bazuar në burime të pastra.
Ajo theksoi se, në një kontekst global të paqëndrueshëm dhe me varësi nga lëndët fosile, sfidat dhe urgjenca e tranzicionit energjetik janë më të dukshme se kurrë.
Rritja është nxitur kryesisht nga energjia diellore, e cila shënoi vitin e katërt radhazi me rritje mbi 20%.
Në vitin 2025, energjia diellore përbënte 13% të prodhimit total të energjisë elektrike në BE, duke kaluar për herë të parë qymyrin dhe hidrocentralet.
Ndërkohë, energjia e erës përbënte 16.9%, megjithëse shënoi një rënie të lehtë për shkak të kushteve më pak të favorshme të motit në fillim të vitit.
Raporti tregon gjithashtu se prodhimi i energjisë nga qymyri ka rënë në nivelin më të ulët historik, vetëm 9.2% në vitin 2025.
Në 19 nga 27 vendet e BE-së, qymyri përbën më pak se 5% të prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë, Bashkimi Europian mbetet ende i varur ndjeshëm nga gazi natyror, i cili përbën 16.7% të prodhimit total. /Albanianpost.com