Një infeksion vdekjeprurës fungal po alarmon Amerikën, ‘The Last of Us’ kthehet në realitet

Një infeksion vdekjeprurës fungal, i vështirë për t’u trajtuar, po përhapet me shpejtësi me ritme “alarmante”.

Ky është konstatimi i nxjerrë nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Diçka kjo, që të sjell ndërmend skenarin e “The Last of Us”, ku papritur, bota pushtohet nga një pandemi fungale. Qytete të tëra bombardohen, zona karantine krijohen, por skenari i lënë në botë është ai i një toke të shkretuar tërësisht, me pak të mbijetuar dhe me një shpresë për të shpikur një kurë.

Referuar raportit të CDC-së, në vitin 2021, rastet në SHBA gati u dyfishuan nga 756 në 1 mijë e 471.

Njerëzit e shëndetshëm nuk janë në rrezik nga Candida auris, por ata me sistem të dobët imunitar ose që përdorin pajisje mjekësore mund të vuajnë nga sëmundje të rënda ose të vdesin.

Ndërkohë, shumica e rasteve të testuara janë imun ndaj trajtimit anti-mykotik.

Ndaj dhe CDC-ja e ka quajtur një “kërcënim urgjent të rezistencës antimikrobike”. Shumë pacientë janë në spitale dhe shtëpi të të moshuarve.

Një në tre pacientë me infeksione invazive vdes, por mund të jetë e vështirë të vlerësohet roli i saktë që ka luajtur Candida auris në pacientët vulnerabël, sipas epidemiologes Meghan Lyman, autorja kryesore e raportit.

Infeksioni u raportua për herë të parë në SHBA në vitin 2016. Rritja më e shpejtë e rasteve ishte nga viti 2020 deri në vitin 2021, sipas të dhënave të CDC-së të publikuara në Annals of Internal Medicine.

Sakaq, një tjetër arsye shqetësuese është shtimi i rasteve që u bënë “rezistente ndaj ekinokandinave” që është ilaçi anti-mykotik më i rekomanduar për trajtimin e infeksionit.

CDC-ja ia atribuon rritjen e parandalimit të dobët të infeksionit në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe përpjekjeve të zgjeruara të shqyrtimit.

Po ashtu mund të jetë përkeqësuar për shkak të tendosjes në kujdesin shëndetësor dhe sistemet e shëndetit publik gjatë pandemisë.

Lyman ka thënë se rritja “thekson nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme, kapacitet të zgjeruar laboratorik, teste më të shpejta diagnostikuese dhe respektimin e parandalimit dhe kontrollit të provuar të infeksionit”.

Edhe vende të tjera kanë parë një rritje të rasteve të Candida auris.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e përfshiu atë në listën e ‘patogjenëve me përparësi fungale”. /Albanianpost.com

Read Previous

Dhjetëra mijë vende pune në rrezik pas blerjes së bankës Credit Suisse nga rivali UBS

Read Next

Mësohet arsyeja pse dështoi meçi Fury-Usyk për 29 prill