Një copë Shqipëri në zemër të New York-ut: “Little Albania” përfshihet në hartën zyrtare të qytetit

“Little Albania”, zona në Bronx ku jeton një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në New York, është përfshirë në hartën zyrtare të enklavave të emigrantëve të publikuar nga Bashkia e qytetit.

Harta identifikon 30 zona në pesë bashkitë e New York-ut, të cilat njihen për përqendrimin historik të komuniteteve emigrante dhe rolin e tyre në formimin e identitetit kulturor të metropolit amerikan.

Mes këtyre zonave renditet edhe “Little Albania”, e cila për dekada ka qenë një pikë e rëndësishme e jetës së komunitetit shqiptar në qytet, duke ruajtur traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare përmes bizneseve, organizatave dhe aktiviteteve të ndryshme.

Publikimi i hartës ka shkaktuar edhe polemika, pasi në të nuk është përfshirë “Little Italy”, një nga lagjet më të njohura historike të emigrantëve italianë në Shtetet e Bashkuara. Përfaqësues të komunitetit italo-amerikan e kanë cilësuar këtë si një mangësi, duke theksuar kontributin e madh të emigrantëve italianë në historinë dhe zhvillimin e New York-ut.

Megjithatë, “Little Albania” vazhdon të jetë pjesë e hartës zyrtare, krahas zonave të tjera të njohura si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen.

Bashkia e New York-ut ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj harte është dokumentimi i lagjeve të krijuara ndër vite nga komunitete të ndryshme emigrantësh dhe evidentimi i ndikimit të tyre në kulturën dhe historinë e qytetit./KultPlus.com

Read Previous

Shitësit online në shënjestër të mashtruesve