Nis ndërtimi i teleskopit më të madh në botë

Kur të kompletohet në vitin 2028, “Square Kilometre Array”, do të jetë teleskopi më i madh në botë dhe do të shërbejë për qëllime madhore dhe pyetje thelbësore të shkencës sot, mbi të gjitha për dilemat e pazgjidhshme të astrofizikës momentalisht.

I ndarë mes Afrikës së Jugut dhe Australisë, por me qendër kontrolli në Britaninë e Madhe, SKA do të jetë kështu krijimi më thelbësor i vrojtuesve të qiellit.

Me të, njerëzimi do të mund të ketë edhe përgjigjet më të sakta deri më sot për teoritë e ngritura dekada më parë nga Albert Einstein, apo edhe për të kërkuar jashtëtokësorët në hapësirë, nëse ata realisht jetojnë.

“Ky është çasti kur ëndrra do të bëhet realitet”, deklaroi drejtuesi i projektit, profesori Phil Diamond, përballë delegacioneve nga tetë shtete të botës, të cilat kanë investuar në projektin e SKA-së.

Ky është një rrugëtim 30-vjeçar, siç ka shpjeguar Diamond, pasi 10 vitet e para, u shpenzuan për të zhvilluar koncepte dhe ide rreth gjithë strukturës.

Dhjetëvjeçari i dytë u përqendrua më pas në zhvillimin teknologjik teksa dekada e tretë, do t’i kushtohet dizajnimit të detajuar (i përfunduar tashmë) dhe vënies në jetë të projektit.

Fillimisht, teleskopi do të përbëhet nga 200 antena parabolike dhe 131 mijë antena të thjeshta.

Ndërsa, aftësia kryesore, do të jetë ajo e matjeve të sipërfaqeve shumë të mëdha hapësinore, deri në qindra mijëra kilometra katrorë, njëherësh. /Albanianpost.com

Read Previous

Financial Times shpall Zelenskyn “Njeriun e Vitit”

Read Next

Si funksionon dhe sa i sigurt është çipi i trurit i projektuar nga Elon Musk?