“Nga një vajzë e varfër dhe pa mbrojtje, në një miliardere”, historia motivuese e Oprah Winfrey

Oprah Gail Winfrey është një prezantuese, producente televizive, aktore, autore dhe filantropiste amerikane. Ajo njihet më së shumti për emisionin e saj të bisedave, The Oprah Winfrey Show, i transmetuar nga Çikago, i cili ishte programi televiziv më i vlerësuar i këtij lloji në histori. E quajtur “Mbretëresha e të gjitha mediave”, ajo ishte afrikano-amerikania më e pasur e shekullit të 20-të, dikur ishte miliarderja e vetme me ngjyrë në botë. Deri në vitin 2007, ajo renditej si gruaja më me ndikim në botë.

Oprah Winfrey është shprehur se fëmijëria e saj ka qenë e mbushur me abuzime, të cilat nuk ia uron askujt t’i përjetojë. Në 6 vitet e para të jetës, ajo u rrit nga gjyshja e saj mjaft e ashpër, në kushte të jashtëzakonshme varfërie. Varfëria në shtëpinë e tyre ishte aq ekstreme, saqë Winfrey shpesh vishte fustane të bërë me thasët e patateve, ose të miellit. “Gjyshja më rrihte aq shumë, saqë më ngeleshin shenja në kurriz, të cilat gjakoseshin herë pas here. Pastaj më rrihte kur shihte njolla gjaku në fustanet e mia”, është shprehur moderatorja e famshme.

Nga mosha 9 deri 13 vjeçare ajo u abuzua seksualisht. Në moshën 14 vjeçare, Oprah mbeti shtatzënë, por fatkeqësisht fëmija lindi para kohe dhe vdiq në spital një javë pas lindjes. Në moshën 14 vjeçare, Winfrey nisi një punë part time në një stacion radioje për njerëzit me ngjyrë.

Por si nisi suksesi i saj? Pasi përfundoi gjimnazin, ajo u zhvendos në Tennessee për të jetuar me të atin e saj, ku dhe ndoqi “Universitetin e Tennessee” për shkencat e komunikimit. Në moshën 19 vjeçare, Oprah fitoi një vend pune si moderatore lajmesh në një kanal televiziv lokal. Në atë kohë, ajo u cilësua si moderatorja më e re e lajmeve dhe si femra e parë me ngjyrë që prezantonte lajmet  për televizionin “WLAC” të Nashville. Në vitin 1983, Oprah Winfrey nisi të prezantonte një emision mëngjesi me kohëzgjatje 30 minuta, me shikueshmëri shumë të ulët, në televizionin “WLS” të Chicagos. Në vetëm pak muaj, emisioni u shndërrua në talk-shown më të ndjekur në Chicago. Tri vite më vonë, talk-show u zgjat në një orë dhe u riemërua si “The Oprah Winfrey Show” (Emisioni i Oprah Winfrey), i cili u shndërrua nga lokal në kombëtar dhe i siguroi kështu moderatores një pasuri të jashtëzakonshme.

Historia e Winfrey është një shembull perfekt se gjithçka mund të arrihet në jetë, pavarësisht se ku ke lindur apo si je rritur. “Ktheji plagët e tua në pjekuri”, ka thënë moderatorja, duke na dhënë kështu një shembull të jashtëzakonshëm se mund t’ia dalim mbanë të sigurojmë gjithçka që dëshirojmë në jetë. /KultPlus.com

Read Previous

MPJD për aksidentin në Austri: Gjendja e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë

Read Next

Ekipi i UP-së renditët i pari në garën për siguri kibernetike të organizuar me partnerët nga Iowa