MPJD për aksidentin në Austri: Gjendja e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë

Tetë personat të cilët morën ndihmë mjekësore në Salzburg të Austrisë, pas aksidentimit të një autobusi me targa të Kosovës, janë jashtë rrezikut për jetë.

Pesë prej tyre ndodhen në spital, një shtetas i Kosovës dhe katër të Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin shefi i kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sharr Jakupi.

Ai tha se autobusi është nisur nga Tirana dhe ka ndaluar në Kosovë, ku kanë hipur tre shtetas kosovarë.

“Sipas listës, gjithsej kanë qenë 25 pasagjerë, tre nga Kosova – dy shoferë dhe një përcjellës nga kompania”, deklaroi Jakupi duke shtuar se MPJD dhe ambasada e Kosovës në Austri janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet relevante.

Mediat në Austri raportuan se në orën 03:00 të së enjtes, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri.

Sipas fotografive të publikuara nga mediat austriake, autobusi i aksidentuar i përkiste kompanisë Armend Tours.

Telegrafi ka provuar të marrë një përgjigje nga kjo kompani, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

/Telegrafi/

Read Previous

41 mjekë familjarë veprojnë në komunën e Gjakovës

Read Next

“Nga një vajzë e varfër dhe pa mbrojtje, në një miliardere”, historia motivuese e Oprah Winfrey