Vitia: Po investohen mbi gjysmë milioni euro në Klinikën e Oftalmologjisë
Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një përplasjeje në një stadium futbolli në kryeqytetin e El Salvadorit, San Salvador, raportoi të dielën BBC-ja.
Zyrtarët policorë kanë bërë të ditur se shtatë burra dhe dy gra janë në mesin e viktimave, të gjithë mbi moshën 18-vjeç.
Trazirat kanë ndodhur gjatë një ndeshjeje midis ekipit vendas Alianza dhe ekipit Fas të Santa Anas në stadiumin “Monumental”.
Pas këtij incidenti, ndeshja është pezulluar.
Rasti ndodhi pasi një numër i madh i tifozëve kanë tentuar të hyjnë në stadium pas mbylljes së portave.
Autoritetet kanë deklaruar se disa tifozëve u janë shitur bileta false për çka tashmë ka filluar një hetim.
Luis Alonso Amaya, nga Mbrojtja Civile e El Salvadorit ka bërë të ditur se rreth 500 njerëzve u është dhënë trajtim mjekësor, shumë prej të cilëve janë transferuar në spital.
Ministri i Shëndetësisë, Francisco Alabi, ka thënë se shumica e të lënduarve janë në gjendje stabile dhe se nuk ka pasur raportime për vdekje nga spitalet.
Federata Salvadorane e Futbollit ka thënë se të gjitha ndeshjet e futbollit të nivelit kombëtar të dielën do të pezullohen. Duke shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, kjo federatë ka shprehur mbështetjen e saj për familjet e viktimave.
Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka thënë se fajtorët për këtë incident nuk do të mbeten pa u ndëshkuar./Koha.net/