Në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK, ka filluar dhurimi vullnetar i gjakut

Me aktivitetin koordinues të Departamentit të Mjekësisë, në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), sot në Ministri të Mbrojtjes filloi dhurimi vullnetar i gjakut.

“Personeli i Ministrisë, si ai civil dhe ushtarak çdo herë ju kanë përgjigjur pa hezitim këtij aksioni, të vetëdijshëm se dhurimi i gjakut do të thotë të shpëtosh një jetë, të ndihmohen pacientët në nevojë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Sigurisht se ky aksion në kohën e pandemisë që po kalon edhe vendi jonë, merr një rëndësi edhe ma të madhe sepse  dhurimi gjakut nga çdo vullnetar, është një akt i dobishëm dhe fisnik”, vazhdohet tutje.

Sipas njoftimit, edhe pse në vlugun e pushimeve vjetore dhe fazës së vaksinimit të personelit, në ditën e parë të aksionit  u grumbulluan doza të konsiderueshme të gjakut, që nga punëtoret e QKKTGJ-së u shpreh kënaqësi dhe vlerësim i lartë për gatishmërinë e treguar.

Aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nëpër të gjitha kazermat e FSK-së.

Aksioni vullnetar i dhurimit të gjakut është aktivitet i planifikuar në Ministri dhe FSK dhe mbahet dy herë në vit.

“Por jo vetëm kaq, pjesëtarët e FSK-së  kanë qenë çdo herë  të gatshëm që t’u përgjigjen  kërkesave të QKKTGJ-së  edhe për nevojat sporadike të rasteve  më të posaçme”, thuhet në fund./Telegrafi

Read Previous

Familja Kastrati humb të birin e tyre Kujtim Kastrati

Read Next

MPJD flet për gjendjen e të lënduarve në Kroaci: 26 pacientë janë në proces lirimi, 15 të tjerë do të vazhdojnë trajtimin spitalor