Ndërpritet seanca konstituive, Kurti kërkon kohë shtesë për diskutime për president

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në fjalën e tij, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të zhvillojë bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të këtyre partive. Pas takimit të parë, Hamza i PDK-së ka thënë se më nuk kanë për çka të takohen për shkak se kanë vendosur të jenë në opozitë. E bisedimet me LDK-në është paralajmëruar se do të vazhdojnë. 

“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend. 

Ai shtoi se konstituimi nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke kërkuar kohë shtesë për diskutimet për çështjen e presidentit. 

“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.

Pas kësaj, Dehari e ndërpreu senacën. Për vazhdimin e saj, kryesuesi ka thënë se do të njoftoheni me kohë. 

Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër. /Koha.net/

Read Previous

Porti i Durrësit, mbi 349 mijë pasagjerë udhëtuan në janar-korrik

Read Next

Në shtator jepen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë