• 5 December, 2022

Ndahen 30 milionë euro për zbatimin e katër masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati sot nё Mbledhjen e 24-tё tё Qeverisё ka propozuar ndarjen e 30 milionë eurove për implementimin e katër masave nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Masat në fjalë janë masa 2.2 Mbështetja bizneseve për qasje në financa; masa 3.2 Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale; masa 4.3 Mbështetja e Kulturës dhe Sportit; dhe masa 4.5 Mbështetja e mërgatës.

Përmes masës 2.2, Mbështetja e bizneseve për qasje në financa, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve synon ringjalljen e ekonomisё dhe prodhimit, pёrkatёsisht mbёshtjetjen e bizneseve pёrmes subvencionimit të tarifave të garancisë, rrjedhimisht ofrimit tё mundёsive pёr qasje mё tё lehtё nё financim. Kёshtu, nё pёrpjekje tё rindёrtimit tё ekonomisё pёrmes sektorit privat, MFPT me 3 milionё euro subvencion tarifat e garancisё pёr Fondin Kosovar pёr Garanci Kreditore, gjë që çliron potencial edhe për 86 milionë euro kredi të garantuara.

Përmes masës 3.2, Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, Qeveria ndau 17 milionё euro pёr pёrfituesit e skemave sociale dhe pensionale. Me anё tё kёsaj mase MFPT synon rritjen e mirёqenies sociale dhe krijimin e një shoqërie të barabartë duke mbështetur familjet që pranojnë asistencë sociale me 30% mbi nivelin e rregullt dhe duke paguar shtesat për pensionistë, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro. Kёto shtesa do të aplikohen deri në fund të kёtij vitit fiskal.

Poashtu, përmes masës 4.3, Mbështetja e Kulturës dhe Sportit, Qeveria ndau 5 milionë euro pёr Ministrinё e Kulturёs, Rinisё dhe Sportit. Kёto mjete do tё investohen në sportet e gjera, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe përkrahjen e kulturёs e rinisё. Ky investim do të bëhet me qëllim që t’i japim vendit gjallëri duke organizuar dhe mbështetur ngjarje e projekte kulturore dhe sportive.

Së fundmi, përmes masës 4.5, Mbështetja e mërgatës, Qeveria ndau 5 milionë euro për mbulimin e kostos sё reduktuar të policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që hyjnë fizikisht në Kosovë përmes pikave kufitare deri nё fund tё kёtij viti fiskal. Gjithashtu, vlen të theksohet se polica kufitare e subvencionuar nga Qeveria ka vlefshmëri 1 muaj.

Deri më tani, MFPT ka marrë vendime për operacionalizim dhe ndarjen e mjeteve financiare për një sërë masash nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Së shpejti, MFPT do të vazhdojë me shpalosjen e kritereve për operacionalizimin e masave të tjera të Pakos./GazetaSinjali/

Read Previous

Ambasadori i ri i OSBE-së në Kosovë Michael Davenport viziton Gjakovën

Read Next

109 raste të zjarrvënies për një muaj, arrestohen 20 persona