NATO dënon sulmin rus me dron në Rumani: Veprim i papërgjegjshëm

NATO ka reaguar ashpër pasi një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani gjatë sulmeve ndaj infrastrukturës ukrainase pranë kufirit mes dy vendeve.

Në deklaratën zyrtare, aleanca ushtarake perëndimore e cilësoi incidentin si një akt të papërgjegjshëm nga ana e Rusisë dhe paralajmëroi forcim të masave mbrojtëse kundër kërcënimeve ajrore.

“Herët këtë mëngjes, një ndërtesë banimi në Rumani u godit nga një dron, ndërsa Rusia po sulmonte infrastrukturën ukrainase pranë kufirit. Ne e dënojmë fuqishëm papërgjegjshmërinë e Rusisë”, thuhet në reagimin e NATO-s.

Aleanca shtoi se do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe kapacitetet kundër dronëve në territorin e vendeve anëtare.

Ky incident shënon herën e parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë që një ndërtesë banimi në territorin e një shteti anëtar të NATO-s goditet nga dronë rusë.

Rumania, anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, ndodhet në kufi me Ukrainën dhe ka qenë disa herë në alarm për shkak të mbetjeve të dronëve që kanë rënë në territorin e saj gjatë sulmeve ruse.

Pas incidentit janë ngritur diskutime edhe për Nenin 5 të NATO-s, i cili përcakton se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës. Megjithatë, aktivizimi i këtij neni nuk nënkupton automatikisht ndërhyrje ushtarake, pasi secili shtet anëtar vendos vetë për formën e ndihmës që do të ofrojë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Milanoviq demanton Vuçiqin: Nuk ka aleancë Kosovë-Shqipëri-Kroaci kundër Serbisë, je duke bërë propagandë politike

Read Next

FSK pjesë e Konferencës së Ushtrive Evropiane që po mbahet në Gjermani