Muzeu i Madridit me koleksion për të pasqyruar larminë e shekullit të 19-të

Duke kërkuar të japin frymë të re në muzeun Prado të Madridit, pas muajve të gjatë të pandemisë, kuratorët kanë rregulluar koleksionin për të shfaqur më shumë vepra nga artiste gra dhe për të pasqyruar më mirë larminë e shekullit të 19-të.

Pas blerjeve të fundit të pikturave dhe miniaturave, muzeu tani mburret me vepra nga 13 piktore gra nga një total prej 130 artistësh.

Miniaturat, shpesh portrete familjare intime, shfaqin aftësi të mëdha teknike, por që janë krijuar në punëtori të vogla, nga artiste të cilave u mungonin studiot e mëdha në shekullin e 19-të.

Tani ka shtatë dhoma me punime nga gra të tilla si Marcela de Valencia dhe Maria Blanchard, tha për Reuters kreu i muzeut për ruajtjen e pikturës së shekullit të 19-të, Javier Baron.

Leticia Ascuebrea thotë se secila vepër duhej të fitonte vendin e saj.

“Muzeu është shumë rigoroz, nëse ka një grua atje, ajo është atje sepse e meriton atë,” tha ajo.

Tetorin e kaluar, muzeu tërhoqi një kanavacë të shekullit të 19-të nga një ekspozitë e përkohshme e artisteve gra pasi u zbulua se ishte pikturuar në të vërtetë nga një burrë.

Muzeu Prado bleu vepra të reja me ndihmën e një trashëgimie nga Carmen Sanchez Garcia, e cila la shumë nga pasuritë e saj për blerjen dhe restaurimin e pikturave pas vdekjes së saj në vitin 2016.

Muzeu ka hapur një dhomë të portreteve dhe autoportreteve të piktorëve në mënyrë që vizitorët t’i njohin ato më mirë.

Prado gjithashtu ka filluar të ekspozojë punën e mjeshtrave të mëdhenj si Francisco Goya së bashku me kolegët e tij, për të nxjerrë në pah origjinalitetin e tyre dhe për të treguar lidhje me artin e kohës së tyre, tha Baron. /KultPlus.com

Read Previous

Research Paper For Sale – How To Get Yours For Free

Read Next

Pasi dështoi tri herë, në tentativën e katërt, Kuvendi e miraton edhe një projektligj