Musk kërkon deri në 134 miliardë dollarë nga OpenAI dhe Microsoft

Elon Musk ka paraqitur një kërkesë gjyqësore për të përfituar deri në 134 miliardë dollarë nga OpenAI dhe Microsoft, duke pretenduar se këto kompani kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga kontributet e tij të hershme në themelimin e OpenAI.

Kërkesa është dorëzuar të premten në një gjykatë federale, pak para nisjes së procesit gjyqësor ndaj dy kompanive, raportoi të martën Reuters.

Sipas dokumenteve gjyqësore, OpenAI thuhet se ka përfituar nga 65.5 deri në 109.4 miliardë dollarë si rezultat i rolit të Muskut në vitet e para të kompanisë, ndërsa Microsofti dyshohet se ka përfituar nga 13.3 deri në 25.1 miliardë dollarë.

Elon Musk ishte bashkëthemelues i OpenAI në vitin 2015, në kohën kur kompania ishte ende në fazën fillestare si startup.

Avokati kryesor i tij, Steven Molo, ka deklaruar se pa kontributin e Muskut kompania nuk do të ekzistonte.

“Pa Elon Muskun nuk do të ekzistonte OpenAI. Ai siguroi pjesën më të madhe të financimit fillestar, vuri në dispozicion reputacionin e tij dhe u mësoi themeluesve gjithçka që dinte për zgjerimin e një biznesi”, ka thënë Molo, duke shtuar se vlera e këtyre kontributeve është përllogaritur nga një ekspert financiar.

Nga ana tjetër, OpenAI e ka cilësuar kërkesën e Muskut si ‘jo serioze’, ndërsa Microsofti nuk ka komentuar konkretisht shumën e kërkuar. Një përfaqësues ligjor i kompanisë ka deklaruar më herët se nuk ekzistojnë prova që Microsofti të ketë ndihmuar apo nxitur OpenAI në shkelje ligjore.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave, OpenAI dhe Microsofti kanë paraqitur padi kundërpretenduese, duke kundërshtuar shumat e dëmeve të kërkuara nga Musk, çka e thellon më tej përplasjen ligjore mes palëve.

Çështja pritet të jetë një nga proceset gjyqësore më të rëndësishme në industrinë globale të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale./KultPlus.com

Read Previous

Trump kërcënon me tarifa 200 për qind për verën franceze nëse Parisi nuk i bashkohet ‘Bordit të Paqes’ në Gaza

Read Next

Parashikimi i motit për sot