Murati: Rreth 21 mijë familje me asistencë sociale do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse

Ministri Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se rreth 21 mijë familje do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse.

Murati është shprehur se për Masën 1.2 janë ndarë 5 milionë euro, të cilat janë pjesë e pakos mbështetëse të Bashkimit Evropian prej 75 milionë eurosh për energji.

Murati është shprehur se nga kjo masë përfitojnë rreth 81 mijë anëtarë, në mënyrë që të kalojnë dimrin më lehtë.

Sipas tij, 120 euro do të ndahen për familje, e më pas edhe nga 30 euro për secilin anëtar të familjes.

Ai ka thënë se kjo masë është e njëhershme dhe në total vlera është 5 milionë euro, teksa ka njoftuar se nuk ka nevojë për aplikim, pasi përllogaritjet janë bërë nga Departamenti për Punë Sociale dhe do të bëhet verifikimi i listave i personave që marrin ndihmë sociale.

“Departamenti për Punë Sociale bën përllogaritjen, përllogaritja bëhet në formë që për secilën familje, si familje, përfitimi është 120 euro që është ekuivalent me dy metër kub, ndërsa po ashtu për çdo anëtar do të ndahen nga 30 euro shtesë. Që i bie për një familje katëranëtarëshe përfitimi total është 240 euro. Subvencionimi shkon direkt në llogarinë bankare të familjes”, ka thënë Murati gjatë prezantimit të masës.

“Jemi në proces të verifikimit të listave, kur kryhet verifikimi, për familjet që janë aktualisht në asistencë sociale, rreth 21 mijë familje me rreth 81 mijë anëtarë përfitues, atëherë bëhet realizimi i mbështetjes. Besoj se do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, tha Murati.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për masat mbështetëse që ka marrë gjatë qeverisjes së tij.

“Varësisht nga rrethanat mund të ketë ndryshuar metoda, por asnjëherë caku ynë përfundimtar. Qytetarët tanë e dinë se përballë vështirësive të kohës ata asnjëherë nuk do të jenë të vetëm apo të vetmuar. Jemi dhe do të mbetemi Qeveri që udhëheq e mbështet, që prin dhe nuk e lë askënd prapa”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Sot zhvillohen 10 ndeshje në 1/16 e finales në Kupën e Kosovës

Read Next

Shokuese në SHBA, 13 vjeçari vret nënën me thikë dhe më pas bën selfie