Murati: Punëdhënësit që kanë marrë punëtorë përmes “Superpuna”, t’i deklarojnë në ATK, përfitojnë nga 264 euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një statusi në Facebok ka njoftuar se të gjithë punëdhënësit që kanë marrë punëtorë të rinj përmes “Superpuna”, duhet t’i deklarojnë të punësuarit në ATK në afatin e rregullt, “në mënyrë që të mund të përfitojnë nga subvencioni në pagë prej 264 euro”.

Murati gjatë muajit të kaluar, pati njoftuar se që nga lansimi i platformës, mbi 2 mijë punëkërkues janë regjistruar dhe verifikuar në “Superpuna”.

“Superpuna” u dedikohet personave të papunë të moshës 18 deri në 25 vjeç.

Punëdhënës nga sektorë të ndryshëm kanë nisur të publikojnë aty ofertat e tyre për punë.

Pozitat e ofruara përfshijnë: kamerier, asistent të shitjes, elektricist, gazetar, kontabilist, dizajnues grafik, infermier e të tjera.

Pagat që i ofrojnë punëdhënësit nisin nga 264 euro – sa është subvencionimi nga Qeveria – deri mbi 1.000 euro, varësisht nga pozita e punës.

Por, pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund ta mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, apo edhe mund ta shkarkojë.

Minsitri Murati pati potencuar se synim i autoriteteve është që në vitin e parë të punësojnë mbi 10 mijë të rinj. /Albanianpost.com

Read Previous

Ora, vendi, data dhe fitimet e ndara për duelin mes Tyson Furyt dhe Oleksandr Usyk

Read Next

Sahatqija: Asnjë aksident me fatalitet në 7 muajt e fundit në rajonin e Gjakovës