Vitia: 80-90 për qind e rasteve të fundit janë të variantit Delta

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë ka mbajtur sot një konferencë për media.

Në një konferencë të mbajtur së bashku me Drejtorin e Departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi, kanë konfirmuar se 80 deri 90 për qind e rasteve të fundit me COVID-19, janë të variantit Delta.

“Të dhënat e fundit nga Departamenti i Mikrobiologjisë na tregojnë që 80 deri në 90 për qind e rezultateve të fundit të rasteve me Covid-19 janë të variantit Delta”, ka thënë Jakupi.

Jakupi ka thënë se ky variant përhapet shumë më shpejt, derisa ka apeluar te qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt që të mos rritet numri i hospitalizimeve.

“Varianti Delta përhapet shumë më shpejt dhe duke u përhapur shumë shpejt nënkupton se do të prek më shumë njerëz. Një pjesë e tyre munden me përfundu me pasqyre të rëndë klinike që kërkon hospitalizim. Kjo prapë do ta ngrisë barrën në spitale dhe do të ndikojë që të kemi më shumë pacientë duke kërkuar trajtim në spitalet e Kosovës. Për këtë arsye është e domosdoshme që të gjithë njerëzit që s’janë vaksinuar që të shkojnë të vaksinohen sa më parë. Veçanërisht s’duhet të ketë asnjë person mbi moshën 50—vjeçare që s’është vaksinuar së paku me një dozë”, ka shtuar Jakupi./GazetaSinjali

Read Previous

​Vitia: Rastet me COVID-19 po rriten, arma e vetme vaksinimi

Read Next

Hoxha: Produktet e mishit të sigurta, inspektohen çdo ditë