Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit “Shihi në sy dhe kërkoju falje katër viktimave të krimeve serbe”

Të hënën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku presidentja e vendit, Vjosa Osmani u paraqit së bashku me katër heroinat, Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elmaze Muçolli dhe Shyhrete Tahiri.

Paraqitja e katër heroinave në këtë mbledhje fillimisht u kundërshtua, ku për këtë bëri një reagim edhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik.

Kundërshtimi për pjesëmarrjen e katër heroinave nuk e ndali presidenten Osmani, e cila në fjalimin e saj, i bëri thirrje Vuçiqit që të kërkon falje katër heroinave.

“Viktimat e atij regjimit ( Millosheviçit) janë këtu, Vuçiq merr pak kohë e kërko falje. Tregoju të gjithëve nëse ke një shenjë të vogël të humanitetit që ka mbetur në ty”, u shpreh Osmani.

Presidentja rikujtoi edhe njëherë para pjesëmarrëseve se serbët kanë kryer masakra në gratë shtatzëna, fëmijë, e shumë qytetarë tjerë.

Gjithashtu, ajo u shpreh se presidenti Vuçic, i cili kishte shërbyer në kohën e Millosheviq, tashmë bënë vetëm propagandë, e të cilën e bazon në propagandën ruse.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është histori suksesi pasi që shoqëria jonë jo vetëm që ka tejkaluar luftën por ka nivel të avancuar të sundimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së komuniteteve.

“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman në një postim në Facebook, ka shkruar se sa herë jemi në kushte të barabarta, Serbia humb çdo betejë.

“Derisa, Goebbelsi i Millosheviçit, i cili mbanë anën e së keqes (tek e fundit, aty e ka vendin) dhe bënte propagandë kundër Kosovës e shqiptarëve. Në anën tjetër, në anën e drejtësisë të vërtetës e demokracisë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, shpërfaqi të vërtetën e cila si asnjëherë më parë u tha qartë e më zë të lartë se Serbia, ka kryer krime… “merr guximin e kërko falje për krimet që keni bërë””, ka shkruar Krasniqi-Goodman.

Paraqitja e presidentes Osmani së bashku me katër heroinat u mirëprit në vend./Telegrafi/

Read Previous

Sa gjoba u shqiptuan nga Policia e Kosovës në 24 orët e fundit?

Read Next

​Sot Dita Ndërkombëtare e Librit