Raketa gjigante, Starship e SpaceX i mbijetoi rihyrjes në atmosferën e Tokës të enjten dhe u ul me sukses në Oqeanin Indian – siç ishte planifikuar gjatë misionit të katërt testues pas nisjes nga jugu i Teksasit.
Anija kozmike me dy faza, e cila përbëhet nga një anije kozmike Starship e montuar në majë të një përforcuesi të gjatë të raketës “Super Heavy”, u shpërbë gjatë përpjekjes së saj të fundit në muajin mars, kur u përpoq t’i mbijetonte rihyrjes në atmosferën e Tokës.
Megjithatë, anija kozmike i mbijetoi rihyrjes së saj të enjten, tregoi transmetimi i drejtpërdrejtë i SpaceX.
“Me gjithë humbjen e shumë pllakave dhe dëmtimin e krahut, Starship arriti të zbarkonte i sigurt në oqean!”, njoftoi CEO i SpaceX, Elon Musk në rrjetet sociale pas uljes.
— Elon Musk (@elonmusk) June 6, 2024
Raketa më e madhe dhe më e fuqishme në botë – 121 metra e gjatë – ishte bosh ndërsa fluturoi mbi Gjirin e Meksikës dhe u nis drejt lindjes.
Anija kozmike synonte të kryente një gjysmërreth rreth planetit dhe të ulej në Oqeanin Indian, pasi hoqi fazën e parë përforcuese.
Këtë herë, SpaceX u përpoq të shmangte shpërthimet duke kontrolluar zbritjen.
Dy fluturimet testuese të vitit të kaluar përfunduan me shpërthime menjëherë pas ngritjes nga maja jugore e Teksasit pranë kufirit me Meksikën.
Kujtojmë se fluturimi i parë shkatërroi platformën e lëshimit në plazhin Boca Chica dhe shpërndau mbeturina mijëra metra përreth.
SpaceX përmirësoi softuerin dhe bëri disa ndryshime në raketë për të rritur shanset për sukses.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) miratoi demonstrimin e katërt të martën, duke deklaruar se të gjitha kërkesat e sigurisë ishin përmbushur. Starship është projektuar të jetë plotësisht i ripërdorshëm.
Themeluesi dhe CEO i SpaceX ka gjithashtu plane më të mëdha: Musk parashikon flota Starships që lëshojnë njerëz dhe infrastrukturën e nevojshme për të ndërtuar një qytet në Mars. /Telegrafi/