Misionit të KFOR-it në Kosovë i shtohen edhe 100 ushtarë nga Bullgaria

Bullgaria do të forcojë praninë e saj ushtarake në Kosovë, ndërsa përgatitet të dërgojë një kontingjent prej 100 ushtarëve për t’u bashkuar me forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR).

Siç njofton media bullgare Radio Bullgaria, sot në Yambol do të mbahet një ceremoni për dërgimin e kontingjentit ushtarak prej rreth 100 ushtarësh, të cilët do të kryejnë detyra për Forcën Stabilizuese të NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Ceremonia do të zhvillohet në orën 10:30 në sheshin qendror përballë ndërtesës së komunës. Kontingjenti ka përfunduar stërvitjen në Batalionin e 42-të të Mekanizuar, Yambol dhe zyrtarisht është shpallur “gati luftarake” nga Ministria e Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Dislokimi shënon një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në ceremoninë që do të mbahet sot në Bullgari, do të marrin pjesë zëvendës shefi i mbrojtjes, Gjeneral Lejtnant Mikhail Popov dhe komandanti i forcave tokësore, gjeneralmajor Dejan Deshkov.

Më shumë se 4.700 trupa nga 28 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR.

Më shumë se gjysma e forcave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. /GazetaSinjali/

Read Previous

Parandalohet kontrabanda me mallra nga Serbia në vlerë mbi 10 mijë euro

Read Next

Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon sonte me dy duele interesante