Ministrja Gërvalla ka një thirrje për mërgatën

Republika e Kosovës ka nisur regjistrimin online të Diasporës në kuadër të Procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, kjo me qëllim që edhe diaspora si pjesë e pandashme e Kosovës të marrë pjesë në këtë proces i cili do të ndihmojë shumë në zhvillimin dhe hartimin e politikave efikase, të dedikuara për mërgatën, përmirësimin e shërbimeve ndaj mërgatës dhe në planifikimet më të mira për të ardhmen.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u bën thirrje të gjithë pjesëtarëve të Diasporës sonë që të regjistrojnë vetën dhe anëtarët e tyre të familjes, dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për planifikimin e së ardhmes sonë të përbashkët. 

Regjistrimi i të gjithë qytetarëve që janë lindur në Kosovë ose që kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës mund të bëhet përmes formularit online që gjendet në: ediaspora.rks-gov.net.

Moduli i regjistrimit të Diasporës po implementohet në kuadër të platformës eDiaspora, dhe përfshinë iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për mbështetjen e procesit të regjistrimit të pjesëtarëve të Diasporës.

Regjistrimi i Popullsisë realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj 2024, dhe përfshinë një prej proceseve më të rëndësishme zhvillimore për vendin. Diaspora është pjesë integrale e shoqërisë kosovare, andaj pjesëmarrja e çdo pjesëtari të Diasporës është kontribut i drejtpërdrejtë për këtë proces të rëndësishëm për vendin.

Për më tepër informata rreth portalit eDiaspora kontaktoni në ediapsora.rks-gov.net./Indeksonline.net/

Read Previous

Macron: Franca e angazhuar për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE

Read Next

Komisioni Parlamentar për Media mban dëgjim publik për KPM-n në Gjakovë