Ministri Peci paralajmëron fermerët që të jenë të saktë në deklarime për subvencione

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka paralajmëruar fermerët që të jenë të saktë me deklarimet për subvencione. Në të kundërtën, ai tha se deklarimet e rrejshme kanë pasoja ligjore.

“Të dashur fermerë, janë bërë më shumë se një javë nga hapja e thirrjes për subvencione për këtë vit. Nga kontrollat e ushtruara vitin e kaluar në masën 100% në 7 Komuna të Kosovës, kemi arritur të parandalojmë mashtrime me deklarime që kapin shumën afro 2 milion euro. Më shumë se paralajmërim është lutja ime për ju që të jeni korrekt në procesin e aplikimit pasi edhe këtë vit Ministria do të ushtrojë kontrolle strikte dhe nuk do të tolerojmë mashtrime me deklarime të rrejshme”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.

Sipas tij, çdo deklarim i rrejshëm që haset, ka pasoja ligjore për ata që zihen duke bërë një gjë të tillë.

“Ndërsa përqafojmë ardhjen e stinës së pranverës, le të tregojmë përkushtimin tonë me ndershmëri dhe integritetit në këtë proces. Së bashku, le të mbjellim farën e besimit dhe transparencës ndërsa kultivojmë një të ardhme të begatë për bujqësinë e Kosovës”, tha ai. /RTK/

Read Previous

Arrestohet një person, sulmoi zyrtarët policorë

Read Next

Shefi i OKB-së: Furnizimi masiv me ndihma humanitare është thelbësore për veriun e Gazës