Ministri Peci në Ditën Botërore të Bletës: E kemi rritur mbështetjen financiare për 33%

Në Ditën Botërore të Bletës, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka premtuar se do të angazhohet në vazhdimësi për përkrahjen e bletarisë, si në prodhim, përpunim, po ashtu edhe në marketingun e këtij produkti.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka rritur këtë vit mbështetjen financiare për 33 për qind.

“Bota, njerëzimi dhe zhvillimi i bujqësisë nuk mund të imagjinohet pa procesin e polenizimit të e zhvillon bleta, andaj ne si Ministri e Bujqësisë kemi rritur përkrahjen për sektorin e bletarisë në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për 33%. Rrjedhimisht, do të vazhdojmë të ofrojmë rritjen e përkrahjes edhe në ofrimin e shërbimeve këshillimore. Po ashtu, duhet theksuar se shembulli i bletës në punë ekipore është udhërrëfyes edhe për ne, për punën institucionale por edhe për angazhimin në sektorin e bujqësisë dhe bletarisë”, ka thënë Peci.

Dita Botërore e Bletës shënohet që nga viti 2018, falë angazhimit të Qeverisë së Sllovenisë, si dhe me mbështetjen e Organizatës “Apimondia”, e cila bëri që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ta shpallë 20 majin Ditën Botërore të Bletës, datë kjo e cila përkon me ditëlindjen e pionerit të bletarisë moderne Anton Jansha. /Klankosova.tv/

Read Previous

Presidentja Osmani drejtuar rekrutëve të rinj të FSK-së: Shpresa jonë është e varur tek ju

Read Next

Erdogan: Nuk do të pranojmë hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO