Ministri Murati thotë se në kuadër të pagës bazë janë edhe shtesat për punëtorët e sektorit publik

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me Ligjin e ri të Pagave këtë vit paga mesatare në krahasim me vitin 2022 do të jetë më e lartë.

Murati gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës ka thënë se shtesat tranzitore të punëtorëve në sektorin publik për gjatë këtij viti nuk do të largohen.

Sipas tij, në vitin e dytë të zbatimit këto shtesa do të t’kurren deri në largimin e tyre.

“Kemi shtesa tranzitore, që parasheh Ligji për Pagat në sektorin publik. Që i bien në vitin e parë askujt nuk i zbritet rroga, pra në vitin e parë të zbatimit. Në vitin e dytë të zbatimit pra shtesat tranzitore është 50 për qind e diferencës mes pagës së re pagës që ka qenë më herët dhe kjo diferencë shkon duke u tkurr, sepse vitin e ardhshëm ne do të kemi rritje të koeficientit, nga 105 në 110. D.m.th çdo vit do të kemi varësisht nga rritja e ekonomisë dhe e produktivitetit. Deri në vitin e tretë kur shtesat tranzitore do të largohen.”, ka thënë Murati.

Ai po ashtu bëri të ditur se me Ligjin e Pagave për të punëtorët e sektorit publik është krijuar një siguri.

“Janë dy gjëra ka siguri, pasi shtesat sot i ke nesër nuk i ke. Varet nga vendimi i eprori. Baza pagë është me ligj, dhe me vetëm Kuvendi mund ta ndërroj atë. Kur shkon në bankë dhe merr një kredi, vetëm paga bazë shikohet dhe merret parasysh. Çështja e dytë është përvoja e punës. Shtesa e përvojës së punës llogaritet mbi pagën bazë. Tjetër është që një polici t’ia llogarisësh përvojën e punës mbi pagën bazë 392 euro dhe tjetër gjë është mbi pagën 600 euro. Ka dallim kjo. Shtesat e përvojës së punës llogariten mbi pagën bazë dhe shtesat nuk janë përfshi në këtë përllogaritje. Si tërësi ka shtesa të ndryshme që kanë tavane, por tërësia e tyre arrin vlerën në 12 për qind”, sqaroi ai.

Tutje, vazhdoi duke sqaruar se edhe tek mjekët në kuadër të pagës bazë do të mbeten edhe shtesat.

“Tek mjekët, çdo herë është thënë që paga është 600 euro dhe po ikin mjekët…Ka pas pagë edhe 1,800 dhe publiku nuk ka qenë i njoftuar, dhe mirë që ka qenë 1,800 euro…dhe këtë e synon Ligji i Pagës, që të vej rregull. Një person në një institucion të marr pagë të lartë, kurse tjerët të marrin shumë më pak. D.m.th. paga bazë e një mjeku specialistë tash vendoset në nivelin, gati dyfishi i asaj që ka qenë. Mbi pagën bazë janë dhe kujdestarit, sepse po thuhen që janë heq. Nuk ka një gjë të tillë”, tha ai duke shtuar se për mjekët që punojnë vetëm në sektorin e jo atë privat do të ketë edhe një shtesë ekskluzive.

“D.m.th janë shtesat e kujdestarisë dhe shtesat e ekskluzivitetit në sektorin publik. Do të ketë edhe shtesë mbi pagën bazë. Pra mjekët që zotohen që do të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë dhe një shtesë tjetër, por do ta kenë dhe shtesën e përvojës së punë. Në fund të muajit shkurt do ta shohin të gjithë se sa do tu dal paga, e që mesatarja për këtë vit është 730 euro”.

/Telegrafi/

Read Previous

Qytetarët vazhdojnë të përballen me vonesa për t’u pajisur me pasaporta dhe letërnjoftime

Read Next

Amerika po u dërgon raketa të reja ukrainasve