Ministri i Mbrojtjes së Izraelit: Do ta vazhdojmë luftën me fuqinë e plotë ushtarake pas pauzës humanitare

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, njoftoi se vendi i tij do të vazhdojë luftën me forcë të plotë ushtarake pas pauzës humanitare në Gaza.

Pas një takimi me homologun e tij italian Guido Crosetto në selinë e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes në Tel Aviv, Galant tha: “Do të ketë një pauzë të shkurtër dhe pas kësaj ne do të vazhdojmë të punojmë me forcë të plotë ushtarake”.

“Ne nuk do të ndalemi derisa të arrijmë qëllimet tona: Shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve nga Gaza në Izrael. Janë 240 pengje dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta pranojmë dhe as ta tolerojmë”, shtoi Gallant.

Në lidhje me zonën e kufirit verior me Libanin, Gallant tha: “Ne nuk kemi interes për luftë, por ne duhet të pengojmë armiqtë tanë”.

“Ne nuk mund të kthehemi në realitetin e 6 tetorit. Ne u sulmuam brutalisht nga Hamasi, pastaj u sulmuam nga Hezbollahu. Ne nuk do të tolerojmë kërcënimet e drejtuara ndaj qytetarëve tanë”, shtoi ai.

Pauza humanitare katër-ditore midis ushtrisë izraelite dhe grupit palestinez Hamas hyri në fuqi këtë mëngjes në të gjitha zonat e Rripit të Gazës, duke ndaluar përkohësisht sulmet për të mundësuar shkëmbimin e të burgosurve dhe kalimin e ndihmës humanitare.

Izraeli vlerëson se të paktën 239 izraelitë mbahen nga Hamasi pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez më 7 tetor. Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14.854, tha dje Zyra e Qeverisë për media në enklavën e bllokuar.

Në mesin e të vrarëve janë 6.150 fëmijë dhe mbi 4 mijë gra, ndërsa më shumë se 36 mijë njerëz janë plagosur. Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200. /abcnews.al

Read Previous

BE forcon kontrollet kufitare për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve

Read Next

Bitcoin është rritur 120 për qind këtë vit, Forbes tregon se çfarë të bëni me kriptovalutat e tjera