“Meshari” i Gjon Buzukut, 472 vjet nga vepra që shënoi lindjen e shqipes së shkruar

Në vitin 1555, plot 472 vjet më parë, nisi rrugëtimi i fjalës së shkruar shqip me botimin e Meshari nga Gjon Buzuku, një nga figurat më të rëndësishme të historisë së gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në parathënien e veprës së tij, Buzuku shprehte shqetësimin për mungesën e shkrimit në gjuhën shqipe dhe nevojën për ta ndriçuar mendjen e besimtarëve përmes fjalës së shkruar. Kjo nismë shënoi një moment kyç për identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve, shkruan KultPlus.

“Meshari” konsiderohet si libri më i vjetër i ruajtur në gjuhën shqipe. Vepra përbëhej nga 110 fletë, por kopja që ka mbërritur deri në ditët tona është e cunguar, pasi i mungojnë 16 faqet e para, përfshirë edhe kopertinën origjinale.

Gjon Buzuku, ishte prift katolik dhe famullitar në një zonë të Shqipërisë Veriore. Përmes kësaj vepre, ai hodhi themelet e një tradite të rëndësishme të shkrimit të shqipes me alfabet latin, duke u bërë një nga pionierët e gjuhës sonë.

Rëndësia e “Mesharit” nuk qëndron vetëm në aspektin fetar, por edhe në kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gjuhës shqipe si një mjet i shkruar komunikimi dhe identiteti.

Një rol të rëndësishëm në rikthimin e kësaj vepre në vëmendje pati edhe Justin Rrota, i cili në vitin 1929 solli nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri tre riprodhime fotografike të këtij libri historik.

Sot, “Meshari” mbetet një nga dëshmitë më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore dhe një pikënisje simbolike e historisë së shkrimit në gjuhën shqipe./KultPlus.com

Read Previous

Hyrja pa biletë në stadium bëhet vepër penale në Angli, dënimi deri në 1000 funte

Read Next

Papa Leo XIV kundër kirurgjisë estetike dhe kultit obsesiv për pamjen fizike