Mbrojtja e Thaçit në Hagë: Dëshmitarët e kanë bërë vetë publike ftesën për dëshmi

Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon me masa mbrojtëse në gjykmin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë, pohoi se Bislim Zyrapi vetë ua kishte konfirmuar mediave në Kosovë që do të intervistohej nga Prokuroria.

Pohimi i dëshmitarit, erdhi pasi avokatja Sophie Menegon e cila përfaqëson Hashim Thaçin, i prezantoi dokumente dhe artikuj nga mediat, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Veç kësaj, dëshmitari tregoi se cila ishte arsyeja pse Prokuroria nuk vendosi masa mbrojtëse për Zyrapin kur ai dëshmoi në korrik të 2024-ës.

“Zyrapi po ashtu është një figurë e njohur dhe publike në Kosovë dhe ka dhënë dëshmi edhe përpara gjykatave ndërkombëtare edhe përpara se të vinte këtu”, tha ai.

Dëshmitari tha se “nuk mund t’ju flas për këtë” kur u pyet se a ka dhënë dëshmi përpara gjykatave të Kosovës.

Ai pohoi se Zyrapi ka dhënë komente për ngjarjet e ’98-ës dhe ’99-ës në mediat kosovare.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një artikull në të cilin Zyrapi pretendohet se ka thënë se nuk kishte urdhër për vrasjen e Gani Gecit por vetëm urdhër për arrestim. Ai mohoi se e ka parë ndonjëherë këtë artikull, duke thënë se nuk i kujtohet.

Dëshmitari pohoi se Zyrapi ka bërë komente për çështje që ai ka pasur t’i diskutojë për ZPS-në.

Rrjedhimisht, pasi nuk pati kundërshtime, dokumenti u pranua në prova materiale.

Përveç kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument i 5 qershorit 2023 në të cilën tregohej se Zyrapi po dëshmonte për rastin “Kleçka”.

Dëshmitari mohoi se ka dijeni për këtë artikull, por sipas asaj që thuhej në atë, u pajtua që Zyrapi ka dëshmuar edhe në gjykatat vendore lidhur me krime lufte.

Dëshmitari pohoi se më 2019-ën, vetë Zyrapi e kishte konfirmuar për media se do të intervistohej nga ZPS-ja.

Dëshmitari tregon pse Remit s’iu vendosën masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Thaçit e tjerëve për krime lufte

Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon të hënën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, tregoi se pse Rrustem Mustafës i njohur si Remi nuk iu ishin vendosur masa mbrojtëse si dëshmitar në çështjen ndaj Hashim Thaçit për krime lufte.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 7, ka thënë se Mustafa kishte dëshmuar më parë në mënyrë të hapur dhe se ishte person i njohur në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sot më herët në mëngjes shpjegova se si prokurori vendos lidhur me masat mbrojtëse; nëse personi është publik dhe i njohur, nëse personi ka dhënë dëshmi më parë në seanca publike dhe në mënyrë të hapur në gjykata ndërkombëtare apo vendore. Pra, për zotin Mustafa– ai ka dëshmuar më parë në mënyrë të hapur dhe është person shumë i njohur dhe figurë shumë e njohur në Kosovë”, tha ai.

Në këtë seancë, nga avokatja Sophie Menegon tha se Rrustem Mustafa ka dhënë dëshmi në korrik të 2023-ës në çështjen për krime lufte.

Në këtë rast, Menegon shpalosi një dokument i cili tregonte se në vitin 2018, Arianit Koci, në cilësinë e avokatit të Rrustem Mustafës kishte njoftuar se klienti i tij do të intervistohej nga Prokuroria në janar të 2019-ës.

Ndonëse pati kundërshtime nga Prokuroria lidhur me relevancën, dokumenti u pranua në prova materiale pas kërkesës së avokates Menegon.

Më pas, u shpalosën edhe dokumente, në të cilat Remi vetë kishte treguar se ai ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar e po ashtu më pas, një intervistë e tij e mëvonshme ku tregonte detaje lidhur me dëshminë e tij. Të gjitha këto, u pranuan në prova materiale me kërkesën e avokates Menegon.

Pjesëtari i ZPS-së: Disa dëshmitarë vullnetarisht e kanë bërë publik statusin e tyre në çështjen e Thaçit për krime lufte

Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon të hënën në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, pohoi se disa nga dëshmitarët në rastin për krime lufte, në mënyrë të vullnetshme ia kanë bërë të ditur publikut faktin se janë dëshmitarë të Prokurorisë.

“Ka ndodhur në çështjen 06”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejësi“.

Gjithashtu, ai u përgjigj me “e saktë” kur u pyet se a ka pasur raste që dëshmitarët kanë thënë se janë intervistuar ose do të intervistohen nga Prokuroria.

Ndërsa, kur u pyet se a kanë të drejtë që dëshmitarët të nxjerrin këtë informacion, dëshmitari tha se ky është vendim i vet dëshmitarëve.

Për pjesën pasuese, seanca kaloi në private për publikun me kërkesën e avokates Sophie Menegon.

“Në këtë çështje a pajtoheni se sjellja e pretenduar e të akuzuarve nuk e ka penguar Prokurorinë, nuk e ka parandaluar Prokurorinë që të kontaktojë apo të intervistojë ndonjë dëshmitar?”, pyeti Menegon.

Kurse, dëshmitari u përgjigj me “Nuk e di”.

Pjesëtari i ZPS-së: Remi dhe Zyrapi u intervistuan lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë rast

Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, tha se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi ishin intervistuar lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë rast.

“A është e saktë se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me ndërhyrjen e pretenduar”, u pyet dëshmitari nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon.

Me ç’rast, dëshmitarit pohoi se ka dijeni për këtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po, jam në dijeni”, tha ai.

Gjithashtu, Menegon pyeti dëshmitari se a ka pasur ndonjë dëshmitar tjetër nga çështja për krime lufte që është intervistuar nga Prokuroria lidhur me pretendimet për ndërhyrje.

Por, dëshmitari tha se nuk i kujtohet kjo pjesë.

Ndryshe, sipas dosjes së Prokurorisë, Bislim Zyrapi dhe Rrustem Mustafa ishin dëshmitarët ndaj të cilëve dyshohet se u tentua të ndikohet nga Thaçi dhe katër të tjerët.

Pjesëtari i ZPS-së: Kemi pasur disa hetime për pengim të drejtësisë, të gjitha ishin të ndërlidhura me rastin e Thaçit për krime lufte

Dëshmitari i cili po dëshmon në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, i cili është njëkohësisht edhe pjesë e stafit të Prokurorisë, ka thënë se kanë pasur disa hetime lidhur me pengim të drejtësisë.

Sipas tij, të gjitha këto raste lidheshin me rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë. Unë nuk e dija se sa çështje në fakt do të materializoheshin për pengim të drejtësisë. Si përfundim, patëm vetëm tre raste për pengim të drejtësisë dhe unë nuk mund t’ua specifikoj juve se sa burime kemi pasur për çështjen 10, 12 apo 11. Edhe të gjitha këto ishin të ndërlidhura me çështjen 06”, tha ai.

Duke folur për kontaktimin me dëshmitarë, dëshmitari pohoi se dëshmitarët në çështjen 06 kontaktoheshin rregullisht prej ZPS-së që të përditësoheshin lidhur me ecurinë e çështjes për krime lufte.

“E saktë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari nga stafi i ZPS-së: S’kam njohuri për çështjen në fjalë, por kam qasje në të gjitha dokumentet, përfshirë edhe në rastin për krime lufte

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

Të hënën, më 2 mars 2026, po vazhdon dëshminë dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili dëshminë nën masa mbrojtëse e filloi më 27 shkurt, pikërisht në ditën kur filloi gjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pasi që Prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, me kundërpyetje po vazhdon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

Ky dëshmitar është staf i Prokurorisë, dhe u pyet nga avokatja se sa ka njohuri për këtë çështje gjyqësore.

Ai mohoi se ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore. Mirëpo, tha se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje e po ashtu edhe ato të çështjes së Thaçit për krime lufte.

Pas kësaj, u kalua në seancë private për publikun me kërkesën e avokates Menegon.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU.  Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU.  Ndërsa, atë të Thaçit KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Krejt çka dihet deri më tani për luftimet mes SHBA-së e Izraelit dhe Iranit

Read Next

Kërkohet përshpejtim i procedurave për ndërtimin e objekteve sportive në Kosovë