Mbi 4 mijë qytetarë kalojnë nga targat ilegale serbe në RKS

Vetëm gjatë javëve të fundit, mijëra serbë të Kosovës i kanë regjistuar automjetet, duke hequr dorë nga targat ilegale serbe, derisa numri i qytetarëve serbë që kanë zgjedhur t’i konvertojnë targat nga ilegalet në RKS (Republika e Kosovës), ka shkuar në mbi 4 mijë, ka njoftuar Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut.

“Tash i kemi mbi 3 mijë e 200 automjete që janë regjistruar (në RKS) dhe 800 më herët, pra numri ka shkuar në mbi 4 mijë. Ne konsiderojmë se 15 ditë do të jetë një afat i mjaftueshëm për të gjithë ata që kanë shanse t’i regjistrojnë veturat e tyre nga targat ilegale në ato të Kosovës”, ka thënë Elshani.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për konvertimin e targave ilagale serbe deri me 15 dhjetor për shkak të interesimit të madh të qytetarëve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për të kaluar nga targat ilegale serbe të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në targat legale të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB).

Ky vendim është marrë pas një mbledhje elektronike, ka njoftuar të enjten e javës së kaluar Qeveria e Kosovës, duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” edhe për 15 ditë të tjera, posaçërisht pas kërkesës së serbëve lokalë dhe interesimit të madh.

Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut i kishte kërkuar MPB-së që të shtynte afatin edhe për 15 ditë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, kishte thënë për Albanian Post se një kërkesë e tillë ishte dërguar në adresën e ekzekutivit kosovar për shkak se të radhëve të gjata para qendrave për riregjistrimin e automjeteve.

Afati për riregjistrimin e automjeteve nga targat ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe parashihej të përfundonte të premten (1 dhjetor), derisa deri tani qytetarët serbë të Kosovës kanë regjistruar mbi 4 mijë automjete në RKS, duke iu përgjigjur në mënyrë pozitive afatit të dhënë nga Qeveria e Kosovës në nëntor të këtij viti. Serbët lokalë kanë edhe 10 ditë kohë. /Albanianpost.com

Read Previous

​Biden: Nuk jam i sigurt nëse do të kandidoja përsërsi nëse Trump nuk do të ishte në garë

Read Next

IKD: Në tri vitet e ardhshme, ka rrezik të parashkruhen rastet e rreth 100 të akuzuarve për korrupsion