Çfarë përmban marrëveshja e re e mbrojtjes mes Gjermanisë dhe Polonisë?
Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë realizuar 4 423 lindje gjatë periudhës janar – 15 qershor 2026. Kjo qendër vazhdon të mbetet një nga institucionet kyçe të kujdesit shëndetësor për nënat dhe të porsalindurit në vend.
Sipas njoftimit, 3 090 lindje janë kryer në mënyrë spontane, ndërsa 1 333 të tjera me prerje cezariane.
Gjatë kësaj periudhe, ekipet mjekësore kanë ofruar trajtim të specializuar edhe për foshnjat e lindura para kohe. Gjithsej 318 foshnja premature, pas kujdesit intensiv dhe trajtimit në repartet përkatëse, janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga QKUK-ja vlerësohet se këto rezultate janë dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të stafit profesional, i përbërë nga mjekë specialistë, infermierë dhe mamitë, të cilët ofrojnë kujdes të specializuar për nënat dhe foshnjat.
“Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke filluar nga kontrollet gjinekologjike, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve të ndryshme, përcjellja e shtatzënisë, lindjet normale dhe operative, deri te kujdesi pas lindjes dhe trajtimi i rasteve më komplekse obstetrike e gjinekologjike. Shëndeti i gruas dhe i të porsalindurit mbetet prioritet i rëndësishëm i sistemit shëndetësor, pasi investimi në këtë fushë është investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe në të ardhmen e shoqërisë sonë”, thuhet në njoftim. /RTKlive