MASHTI kërkon edhe 20 inspektorë, analistët duan monitorim të cilësisë e vlerësim të mësimdhënësve

Numri i vogël i inspektorëve në arsim ka bërë që të ketë mungesë të monitorimit të cilësisë në arsim dhe vlerësimit të mësimdhënësve në shkolla po vlerësojnë ekspertët, raporton Ekonomia Online.

Sipas njohësve të fushës me numrin aktual të inspektorëve që tani monitorojnë shollat, do të duhen më shumë se dy dekada që të bëhet vlerësimi i mësimdhënësve. Përderisa Ministria e Arsimit është në kërkim edhe të 20 inspektorëve të rinj.

Sipas drejtorit të Instituti “EdGuard” Rinor Qehaja, inspektorët me shkathtësi dhe aftësi të duhur të vlerësimit të procesit mësimor mund të kontribuojë shumë në përmirësim të cilësisë së mësimdhënies.

“Inspektorët kanë një rol shumë të rëndësishëm në sigurim të cilësisë dhe në mbikëqyrje të procesit mësimor. Inspektor kompetent me shkathtësi dhe aftësi të duhur të vlerësimit të procesit mësimor mund të kontribuoj shumë në përmirësim të cilësisë të mësimdhënies në formë të këshillave e vërejtjeve për përmirësimin që mund t’iu ofrohet mësimdhënësve gjatë procesit të vëzhgimeve në klasa”, tha ai.

Sipas tij, në vend është shumë numri i vogël i inspektorëve krahasuar me atë të mësimdhënësve.

Ai theksoi se me kapacitetet aktuale do të duheshin 23 vjet që të bëhej vlerësimi i tërësishëm i mësimdhënësve.

“Numri aktual i  inspektorëve është i vogël krahas numrit të madh të mësimdhënësve. Me këtë raport aktual që e kemi vlerësimi i tërë mësimdhënësve do te duhej të bëhej pas 23 viteve kaq kohë do të merrte me këtë kapacitet aktual. Duke e ditur këtë ne shpresojmë shumë që të rritet numri i inspektorëve por edhe më e rëndësishmja që sigurimi i cilësisë të delegohet tutje tekë menaxhmeti i mesëm në shkolla. Do të jetë e pa arritshme inspektimi i të gjithë mësimdhënësve me vëzhgim nga inspektorët, këtë duhet tu besojmë organeve në shkolla që ata ta mbajnë përgjegjësin për vëzhgime këshilla për proces mësimorë”, tha ai.

Njohësi i arsimit Argjend Osmani, tha se ngritja e cilësisë në arsim kërkon monitorimin e duhur dhe se një rol të veçantë në këtë rast luajnë inspektorët.

Sipas tij, mungesa e inspektorëve pamundëson edhe monitorimin e cilësisë.

“Pa dyshim që ngritja e cilësisë në arsim kërkon edhe monitorimin e duhur, andaj edhe në këtë kontekst roli i inspektoratit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Fatkeqësisht Deri me tash nuk ka pasur nuk mund të themi se kanë pasur kapacitete të mjaftueshme që kjo të realizohet në mënyrë efektive, është e domosdoshme që numri të rritet”.

“Numri tani nuk është i mjaftueshëm, numri i tyre duhet të rritet gjithsesi. Mungesa e inspektorëve e pamundëson monitorimin e cilësisë”, tha ai.

Konkursi për 20 inspektorë në MAShTI do të jetë i hapur deri me datë 6 dhjetor 2022.

/EO/

Read Previous

Suspendohet policia e moralit në Iran

Read Next

Vatikani duhet ta njohë Kosovën, kërkesa e presidentit Begaj për Papa Françeskun