MASHT-i nuk është i kënaqur me zgjedhjen e anëtarëve të KD-së në UP: U përfillën interesat personale

Për ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinë, janë bërë pa u përfillë veprimtaria akademike, por vetëm interesat personale dhe grupore.

Për këtë arsye Nagavci përmes një konference për media ka qartësuar pozicionin e dikasterit të cilën ajo e drejton lidhur me këtë rast.

“Siç e kam thënë edhe javën e kaluar, zgjedhjet e reja për anëtarë të Këshillit Drejtues riprodhuan situatën e vjetër. Lakmia e individëve për të dominuar me Këshillin Drejtues prodhoi koalicione dhe marrëveshje joparimore brenda Senatit akademik, pjesë e të cilave janë menaxhmenti aktual, përfaqësuesit e stafit akademik dhe përfaqësuesit studentorë. E gjithë kjo rezultoi me një përfaqësim në Këshillin Drejtues me të cilin nuk mund të jemi të kënaqur”.

Ajo ka thënë se janë zgjedhur 5 anëtarë në mesin e të cilave nuk është asnjë grua, përkundër faktit se mbi 60% e stafit të rregullt akademik janë gra.

Nagavci ka thënë se MASHTI distancohet krejtësisht nga ky proces zgjedhor dhe siguron opinionin se nuk ka bërë asnjë lloj ndikimi për asnjë nga kandidatët që kanë garuar për anëtarë të Këshillit Drejtues.

“Aludimet se kemi ushtruar ndikim përmes një organizate studentore janë të papërgjegjshme dhe nuk kanë asnjë bazë. Isha shumë e qartë në shprehjen e qëndrimit tim në raport me rolin e përfaqësuesve studentorë, të gjithëve pa përjashtim, në këtë proces zgjedhor”, tha Nagavci.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për vendimin e Këshillit të Etikës për masat e shqiptuara ndaj profesorëve të UP-së, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit.

“Me këtë rast dua të rikujtoj se vitin e kaluar kam emëruar 4 anëtarë të Këshillit Drejtues të cilët e përfaqësojnë MASHTI-in, të gjithë persona me integritet të lartë dhe jashtë organizimit partiak, emrin e të cilëve nuk e gjeni të lakuar për ndonjë skandal siç ndodhë me disa të sapoemëruar nga Senati akademik. Këta njerëz, dy gra dhe dy burra, kanë punuar me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në Universitet dhe jam e bindur se do të vazhdojnë të punojnë kështu deri në përfundim të mandatit”, ka thënë tutje Nagavci. /Albanianpost.com

Read Previous

Inter nuk mjaftohet me Asllanin, zikaltërit interesohen edhe për një tjetër shqiptar

Read Next

​Marrëveshja për energjinë në veri, GAP: Të sigurohet një zbatim adekuat dhe sipas afateve nga palët