Masakra në Kralan, Maqedonci: Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për viktimat

Në 25 vjetorin e masakrës në lagjen e parë të qytetit të Gjakovës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me liderët tjerë shtetërorë, kanë kujtuar civilët e vrarë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë.

Në këtë përvjetor, Maqedonci theksoi se “gjashtëdhjetë të vrarët më nuk janë mesin tonë por do t’i kujtojmë përjetë dhe nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për ta”.

Në këtë lagje civilë moshash të ndryshme nga 2 deri në 75-vjeç, pleq, gra, burra dhe fëmijë, u qëlluan dhe u dogjën të gjallë nga regjimi kriminal serb.

Dëshmitari i Human Rights Watch, thotë se në shtëpinë e familjes Vejsa ishin gjetur trupat tërësisht të karbonizuar të nëntëmbëdhjetë anëtarëve të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi, të cilët u mbështollën me një batanije dhe u varrosën në tre varre.

Sot e kësaj dite asnjëri nga të identifikuarit, eprorë të ushtrisë e policisë serbe si të dyshuar për kryerjen e këtij krimi nuk është dërguar para drejtësisë, ndërsa nënat, motrat e familjaret e tjerë të viktimave presin me ankth ditën kur do vendoset drejtësia./Klankosova.tv

Read Previous

Ambasadori britanik e falënderon Jasharin për stërvitjen e trupave ukrainase nga FSK-ja

Read Next

​Shoqata e logopedëve kërkon një odë të veçantë për licencimin e logopedëve