Marrëveshja SHBA-Iran, çfarë parashikon pakti 14-pikësh që synon t’i japë fund konfliktit?

Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për zgjatjen e armëpushimit ka hyrë tashmë në fuqi, konfirmoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për BBC.

Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi zyrtarisht dokumentin gjatë samitit të G7-tës, në Evian të Francës.

Marrëveshja me 14 pika, e njohur si Memorandum Mirëkuptimi (MoU), parashikon që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Administrata Trump e ka cilësuar marrëveshjen si të bazuar në performancë, që do të thotë se përfitimet për Teheranin, do të varen nga respektimi i detyrimeve të marra.

1. Fundi i konfliktit në të gjitha frontet

SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre angazhohen për ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake, përfshirë në Liban.

2. Respektimi i sovranitetit

Të dy vendet zotohen të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëri-tjetrit.

3. Afat 60-ditor për marrëveshjen finale

Palët synojnë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me miratim të ndërsjellë.

4. Heqja e bllokadës amerikane

SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare dhe pengesave ndaj porteve iraniane.

5. Tërheqja e forcave amerikane

Brenda 30 ditëve nga marrëveshja finale, forcat amerikane do të tërhiqen nga zonat pranë Iranit.

6. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit

Irani do të garantojë kalimin e sigurt dhe pa pagesë të anijeve tregtare në ngushticë.

7. Bashkëpunim rajonal për Hormuzin

Irani do të punojë me Omanin dhe vendet e Gjirit për një mekanizëm afatgjatë menaxhimi të ngushticës.

8. Fondi 300 miliardë dollarësh për rindërtim

Do të hartohet një plan investimesh me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për zhvillimin ekonomik të Iranit.

9. Heqja e sanksioneve

SHBA-ja angazhohet të heqë sanksionet ekonomike ndaj Iranit, sipas një kalendari që do të dakordësohet më vonë.

10. Ndalimi i armëve bërthamore

Irani pranon të mos prodhojë apo sigurojë armë bërthamore.

11. Menaxhimi i uraniumit të pasuruar

Palët do të bien dakord për trajtimin e rezervave ekzistuese të uraniumit të pasuruar, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

12. Ruajtja e status quo-së gjatë negociatave

SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe do të lehtësojë eksportet iraniane derisa të arrihet marrëveshja finale.

13. Zhbllokimi i fondeve të ngrira iraniane

Fondet e ngrira ose të kufizuara të Iranit do të vihen gradualisht në dispozicion.

14. Mekanizmi i monitorimit dhe miratimi nga OKB-ja

Do të krijohet një sistem mbikëqyrjeje për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa pakti final do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /ATSH/

Read Previous

​Policia shqiptare dhe ajo italiane thellojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit

Read Next

Haaland shkakton “tërmet” në Norvegji – këtë herë jo vetëm në fushë