Maqedonci takon homologun polak, flasin për situatën e sigurisë në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të konferencës “Defense24” kushtuar çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë, takoi homologun polak, Władysław Kosiniak-Kamysz, të cilin e informoi për situatën e sigurisë në Kosovë, posaçërisht në dritën e militarizimit të Serbisë përgjatë vijës kufitare, por edhe rreth mbështetjes së Qeverisë së Kosovës për Ukrainën.

“Ministrin Kamysz e informova rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, gjersa shpreha dhe shqetësimin tim për militarizimin e Serbisë dhe 48 bazat e ushtrisë dhe gjandarmërisë serbe të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën”, njoftoi Maqedonci nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, derisa përmendi edhe sulmin e paramilitarëve serbë vitin e kaluar.

“Duke qenë të vetëdijshëm se lufta në Ukrainë kërcënon sigurinë e përgjithshme të Evropës, theksova që Kosova do të vazhdoj të ofroj mbështetjen e pakursyer për Ukrainën brenda kapaciteteve tona shtetërore”, shtoi ministri kosovar, i cili është duke marrë pjesë në konferencën më të rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes së Polonisë, në një takim me ushtarët e kontigjentit polak të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) në mars të këtij viti, deklaroi se kudo që nevojitet prania e ushtarëve dhe oficerëve polakë, ata do të jenë atje për të ruajtur paqen dhe sigurinë, duke përmbushur kështu detyrat që burojnë nga dispozitat e Aleancës Veri-Atlantike.

Pjesëmarrja në misionin paqeruajtës të KFOR-it shënon një nga misionet e para të ushtrisë polake brenda NATO-s. Në Kosovë ndodhet kontingjenti më i madh polak në krahasim me prezencën në vendet tjera – Rumani, Letoni dhe Turqi – me rreth 250 ushtarë, ndërsa përveç kontingjentit ushtarak, në Kosovë është i pranishëm edhe një kontingjent policor./Albanianpost.com

Read Previous

Abdixhiku për Aganin: Ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi

Read Next

​Kërkohet ligj për Gjergj Kastriotin dhe propozohet 28 tetori si festë kombëtare