Maqedonci: Kosova vazhdon të ruajë vigjilencën në Ballkan

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar të hënën ministrin irlandez për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë. Në fokus të diskutimeve, sipas njoftimit të Ministrisë kosovare të Mbrojtjes, kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe progresi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ministri Maqedonci informoi homologun irlandez për përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës në përmbushjen e çdo standardi të NATO-s — nga doktrinat e ndërtimit profesional të ushtarakëve deri tek sistemet e armatimit”, thuhet në njoftim.

Ai ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës, duke ruajtur njëkohësisht vigjilencën për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, derisa të dy ministrat janë dakorduar për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

“Gjithashtu, ai shprehu falënderimin e thellë ndaj ministrit Byrne dhe Irlandës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, veçanërisht për kontributin e trupave irlandeze në kuadër të misionit të KFOR-it, që luan rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.

Read Previous

130 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Read Next

Zelensky: Ukraina e përkushtuar për paqe, do të bashkëpunojmë me SHBA-në