Manastiri i Deçanit: Apel për paqe dhe vetëpërmbajtje në Kosovë

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, shpreh keqardhje “për të gjithë ata që kanë pësuar lëndime apo janë ekspozuar ndaj çfarëdo lloj keqtrajtimi”, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve të përfshira që të sigurojnë që çështjet e përshkallëzuara në veri të Kosovës të adresohen me mjete paqësore”.

Janjiç përmes një deklaratë për medie të cilën e ka publikuar në Twitter, ka thënë se qëndrojnë kundër burgosjes së padrejtë të çdo individi “për arsye të pabaza dhe të rreme, si dhe kundër keqtrajtimit të pretenduar të tyre në ambientet e paraburgimit”.

“Ne dëshirojmë të pohojmë se veprimet e fuqishme policore dhe retorika nxitëse nuk mund të jenë kanale për stabilitetin në Kosovë, as nuk mund të ndihmojnë në ndërtimin e besimit në mesin e popullatës. Vazhdimi i situatës aktuale, e karakterizuar nga dhuna, kërcënon stabilitetin dhe sigurinë më të gjerë të të gjithë qytetarëve”.

Sundimi i ligjit është thelbësor, “por ai kurrë nuk duhet të përdoret si pretekst për të shtypur njerëzit përmes veprimeve policore. Metoda të tilla, kudo në botë, në mënyrë të pashmangshme japin rezultate kundër produktive dhe çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin për medie të Manastirit të Deçanit.

Populli i Serbisë në Kosovë, sipas Janjiç, “meriton të drejtat e tij të plota për të jetuar në paqe dhe për të gëzuar mbrojtjen e të drejtave të tyre kolektive dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e garantuara ndërkombëtarisht të dakorduara më parë”.

Ky tension, vlerëson Igumeni i Manastirit të Deçanit, pengon dialogun e vazhdueshëm dhe nuk mund të sigurojë një ekzistencë paqësore për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh origjinën e tyre etnike.

/albanianpost/

Read Previous

Kosova kërkon fitoren e parë në kualifikime, sot përballet me Bjellorusinë në udhëtim

Read Next

Gjatë 24 orëve janë ndaluar 13 persona