Maduro kërkon bisedime direkte me Trump

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë bisedime “sy më sy” me Donald Trump, pasi presidenti amerikan foli për një mundësi dialogu.

Kujtojmë që, SHBA ka vendosur një flotë luftanijesh në Karaibe, zyrtarisht në kuadër të një operacioni kundër trafikut të drogës.

Gjatë transmetimit të tij javor në televizionin publik, presidenti i Venezuelës u përgjigj ndaj një letre të një pastori amerikan.

Ai theksoi se Venezuela është e hapur për bisedime me “këdo që dëshiron të flasë me Venezuelën”, por paralajmëroi se nuk do të lejohet “që populli i krishterë i Venezuelës të bombardohet dhe masakrohet”.

Udhëheqësi venezuelian shtoi se gjithmonë ka qenë për dialogun: “Po paqes! Jo luftës! Asnjëherë luftë”.

Maduro foli gjithashtu për “sektorë të pushtetit” në SHBA, të cilët sipas tij po e shtyjnë Trump-in drejt një “gabimi të rëndë historik”: një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.

Një veprim i tillë, tha ai, “do të ishte fundi politik i udhëheqjes së tij”, duke nënvizuar se këto grupe “e provokojnë vazhdimisht”.

Nga ana tjetër, Trump mbajti një qëndrim të paqartë mbi mundësinë e veprimeve ushtarake.

Ai u tha gazetarëve se “në një moment” mund të flasë me Maduro-n, por këmbënguli se ky i fundit “nuk është i mirë për Shtetet e Bashkuara”.

I pyetur nëse përjashton dërgimin e trupave amerikane në Venezuelë, Trump u përgjigj: “Jo, nuk përjashtoj asgjë”.

SHBA ka ruajtur një prani të madhe ushtarake në Karaibe që nga gushti, me aeroplanmbajtësen më të madhe në botë si pjesë të operacionit kundër trafikut të drogës.

Ndërkohë, Caracas akuzon Washington-in se po përdor këtë justifikim për të synuar “ndryshim regjimi” dhe për të vënë nën kontroll burimet e saj të naftës. /Albanianpost.com

Read Previous

Kosovë – Zvicër, të gjitha përballjet mes Dardanëve dhe Helvetikëve deri më tani

Read Next

Ministrja e Jashtme palestineze thotë se votimi në OKB është ‘hapi i parë drejt paqes’