Kuvendi i Kosovës nderon kontributin e akademikut Rexhep Qosja

Krerët e shtetit dhe liderët e partive opozitare, në një seancë solemne të hënën në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë të enjten, shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre për kontributin e jashtëzakonshëm të Qosjes në fushën e studimeve letrare dhe angazhimin e tij të palodhur.

Figurat politike të vendit deklaruan se Qosja, me veprat dhe mendimin e tij kritik, la një trashëgimi të pazëvendësueshme për kulturën dhe historinë e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se Qosja e bëri krijimtarinë e tij në një kohë kur kërkohej nga shqiptarët që të dëshmonin vazhdimisht gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike.

“Kësaj kohe, ai iu përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e rilindjes kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik”, deklaroi Haxhiu.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca u shpreh se Rexhep Qosja besonte se, duke qenë një komb i rrënjosur në gjuhë, unifikimi gjuhësor i shqiptarëve është një proces i domosdoshëm për forcimin e vetëdijes kombëtare.

“Intelekti i Qosjes, që e formuloi porosinë e madhe, vazhdon mes nesh si trashëgimi. Ajo do të jetojë përgjithmonë, do të lexohet, do të studiohet, do të diskutohet, do të prodhojë vepra të tjera, do të ndiqet dhe do të frymëzojë breza. Në dorën e popullit tonë, që ai e deshi kaq shumë, do të jetë një pishtar i pashuar për të ardhmen”.

Ndër të tjera, Konjufca vlerësoi edhe kontributin e Qosjes, duke thënë se ai ishte një nga intelektualët, shkrimtarët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë.

“Ai kontribuoi në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, pikërisht sot është 50-vjetori i Konsultës së Prishtinës – pastaj në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë. Qosja na la kryevepra edhe si shkrimtar dhe si prozator”.

Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deklaroi para deputetëve se Rexhep Qosja nuk bëri zgjedhje të lehta, ishin zgjedhje me çmim të lartë.

“Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës tonë, ai ishte gjykues i saj. Nuk ishte vetëm shpjegues i letërsisë, historisë apo politikës, por sfidues i tyre”.

“Nuk ishte as produkt i rrethanave kohore, por ishte kundërshtar i tyre dhe në një mjedis që shpesh kërkonte rahati, ai zgjodhi shqetësimin. Në një politikë që shpesh herë kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën, dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën”, tha Hamza.

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, tha se akademik Qosja ishte studiues dhe një mendimtar kritik që e shihte letërsinë si pasqyrë të shoqërisë, historisë dhe identitetit.

“Ai la gjurmë të pashlyeshme në formimin e brezave të tërë studiuesish e studentësh. Vepra e tij shkencore dhe letrare, me dhjetëra libra e studime në fusha të ndryshme, nga historia e letërsisë, te kritika dhe romani, përbëjnë një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare”.

“Vepra e tij dhe studimet mbi letërsinë shqiptare e vendosën atë në mesin e figurave kyçe të mendimit letrar shqiptar”, u shpreh ajo.

Kurse, shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se akademiku Qosja nuk do të vdesë kurrë, pasi veprimtaria e tij do të jetojë përgjithmonë.

“Se liria dhe pavarësia, dhe shteti që e gëzojmë sot, i ka rrënjët thellë në sakrificë, në punë e veçanërisht në intelektualë të fuqishëm të kombit tonë, të cilët nuk u dorëzuan dhe punuan në kohët më të vështira të Jugosllavisë dhe Serbisë, na e vërteton shkrimtari që s’do të vdesë kurrë, akademiku Rexhep Qosja”, tha Tahiri.

Për shkak të stilit të tij të drejtpërdrejtë dhe mendimeve të thella kritike, Qosja ka qenë një figurë e diskutuar, por njëkohësisht edhe shumë e respektuar në qarqet akademike dhe intelektuale. Ai lë pas një trashëgimi të pasur shkencore dhe letrare, që ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e studimeve albanologjike dhe mendimit kritik shqiptar. /Albanianpost.com

Read Previous

Meta paditet për reklama mashtruese në Facebook dhe Instagram

Read Next

Abdixhiku në Mejë: Kujtesë për masakrën dhe thirrje për drejtësi