Zelensky: Ukraina, SHBA-ja dhe Evropa do të zhvillojnë bisedime të përbashkëta së shpejti
Ulrich Siegmund, 35 vjeç, ish-anëtar i CDU-së dhe një sipërmarrës marketingu është një prej politikanëve më të ndjekur të AfD-së në rrjetet sociale.
Siegmund është figura që e çoi partinë e ekstremit të djathtë në fitoren e saj historike në Saksoni-Anhalt.
Tani ai synon të bëhet kryeministri i parë i AfD-së në një land gjerman, por përballë tij qëndron pengesa kryesore e politikës gjermane, “firewall”-i ndaj bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.
Ai lindi më 25 tetor 1990 në Havelberg, në Saksoni-Anhalt.
Ai është deputet në parlamentin e landit që prej vitit 2016 dhe në vitin 2026 u zgjodh kandidat kryesor i AfD-së për zgjedhjet rajonale.
Ai nuk vjen nga karriera tradicionale politike. Para se të bëhej deputet, Siegmund punoi në sektorin e shitjeve dhe marketingut, ndërsa studioi njëkohësisht psikologji ekonomike dhe administrim biznesi.
Ai përfundoi Bachelor-in në vitin 2016. Në vitin 2015 kreu edhe një trajnim menaxherial në Pekin.
Nga CDU-ja te AfD-ja
Një nga elementët më interesantë të biografisë së tij është se Siegmund nuk e nisi karrierën politike në AfD.
Ai iu bashkua CDU-së kur ishte 19 vjeç dhe qëndroi në parti deri në vitin 2014. Më pas u largua dhe iu bashkua AfD-së.
Që prej vitit 2016 është pjesë e drejtimit të AfD-së në Saksoni-Anhalt dhe ka qenë deputet i landit për disa mandate.
Nga biznesi te politika
Siegmund e ndërtoi fillimisht profilin e tij në botën e biznesit.
Sipas biografisë zyrtare të parlamentit të Saksoni-Anhaltit, ai u diplomua si specialist për tregti me shumicë dhe tregti të jashtme, punoi në drejtimin e shitjeve dhe më pas si menaxher i klientëve kryesorë në një klinikë okulistike në Berlin.
Që prej vitit 2014 është sipërmarrës në fushën e marketingut.
Pikërisht ky background në marketing dhe psikologji ekonomike, është përdorur shpesh për të shpjeguar mënyrën se si ai ndërtoi imazhin e tij politik, më pak si politikani tradicional dhe më shumë si një figurë e komunikimit modern dhe e rrjeteve sociale.
“Reuters” e ka përshkruar atë si një kandidat që përdor përvojën në psikologjinë e biznesit për të krijuar një imazh më pozitiv për AfD-në.
“Fytyra e buzëqeshur” e AfD-së
Siegmund është përshkruar nga media gjermane si fytyra më e butë dhe më miqësore e AfD-së.
Ndryshe nga disa prej figurave më radikale të partisë, ai përdor një stil komunikimi pozitiv, buzëqeshje të vazhdueshme dhe kontakte të drejtpërdrejta me votuesit.
Por pas këtij imazhi qëndron një program politik shumë më radikal.
“Reuters” e përshkruan AfD-në e Siegmund si një forcë që kërkon ndryshime të thella në migracion, arsim, kulturë dhe marrëdhëniet me Rusinë.
TikTok-u, një nga armët e tij kryesore
Siegmund është veçanërisht aktiv në TikTok dhe rrjetet sociale.
Kjo e ka ndihmuar të krijojë një profil shumë më të madh se ai që do të kishte vetëm përmes aktiviteteve tradicionale politike.
Media gjermane e ka përshkruar si një nga politikanët më të ndjekur të vendit në TikTok.
Strategjia e tij është e qartë, mesazhe të shkurtra, komunikim direkt, paraqitje optimiste dhe shmangie e gjuhës klasike të politikës partiake.
Kjo është një nga arsyet pse ai ka arritur të tërheqë edhe votues që nuk kanë qenë tradicionalisht pjesë e elektoratit të AfD-së.
Çfarë kërkon politikisht?
1. Migracion shumë më të ashpër
Migracioni është një nga shtyllat kryesore të programit të tij.
Programi i AfD-së në Saksoni-Anhalt parashikon një ofensivë për dëbimin e migrantëve, përfshirë krijimin e një task-force për përshpejtimin e dëbimeve.
Siegmund ka mbështetur gjithashtu idenë e një detyrimi për punë për azilkërkuesit, duke argumentuar se kjo mund të zbatohet shpejt në land.
2. Kundër politikave LGBTQ+
Programi i AfD-së në land parashikon kufizime ndaj simboleve LGBTQ+ në shkolla dhe një qasje shumë më konservatore ndaj politikave gjinore.
3. Ndryshime në arsim dhe kulturë
AfD kërkon ndryshime të thella në programet shkollore, kulturë dhe transmetuesit publikë, duke i dhënë më shumë hapësirë narrativave kombëtare dhe duke reduktuar financimin e disa institucioneve kulturore.
4. Qasje më e afërt me Rusinë
AfD-ja në Saksoni-Anhalt ka mbajtur një qëndrim shumë më kritik ndaj politikës gjermane ndaj Rusisë dhe mbështet një ndryshim të kursit në këtë drejtim.
Pse është kaq kontrovers?
AfD në Saksoni-Anhalt është klasifikuar nga autoritetet e sigurisë gjermane si organizatë e ekstremit të djathtë.
Për më tepër, disa persona në rrethin politik dhe profesional të Siegmund, kanë pasur të kaluar në organizata të ekstremit të djathtë.
MDR raportoi në gusht se një aktivist që kishte kaluar në grupet “Autonome Nationalisten” dhe “Identitäre Bewegung” ishte punësuar nga AfD-ja në land dhe se Siegmund kishte propozuar personalisht punësimin e tij.
Një tjetër hetim i “Correctiv” raportoi lidhje mes fushatës së AfD-së në Saksoni-Anhalt dhe aktivistëve të lëvizjes identitare.
Familja
Siegmund është i martuar dhe ka një vajzë. Ai është nga Tangermünde/Havelberg dhe familja ka qenë pjesë e jetës së tij publike.
Vëllai i tij më i madh është pjesë e këshillit bashkiak të Tangermündes si i pavarur, ndërsa babai i tij punon për një deputet federal të AfD-së.
Zgjedhjet e 6 shtatorit
AfD fitoi zgjedhjet në Saksoni-Anhalt me 43,8% të votave dhe 39 nga 83 mandatet, duke u bërë forca më e madhe në parlamentin e landit.
Por partisë i mungojnë mandatet për shumicën absolute.
Kjo do të thotë se Siegmund nuk është ende kryeministër.
Ai synon postin e kryeministrit të landit (Ministerpräsident), por për ta marrë atë duhet të sigurojë shumicën në parlament.
Pas rezultatit, ai ka njoftuar se do të zhvillojë bisedime me partitë dhe deputetë të tjerë për të krijuar një shumicë qeverisëse.
Problemi kryesor është se partitë tradicionale gjermane vazhdojnë të refuzojnë bashkëpunimin me AfD-në, për shkak të të ashtuquajturit “firewall” politik ndaj ekstremit të djathtë.
Në një intervistë para zgjedhjeve, Siegmund tha se dëshironte të bëhej kryeministër vetëm nëse AfD-ja do të mund të qeveriste pa partner koalicioni.
Pas rezultatit prej 43,8%, kjo u bë e pamundur pa mbështetje nga jashtë, dhe ai tani ka kaluar në fazën e negociatave. /ATSH/