Irani bllokon Ngushticën e Hormuzit: Nuk do të hapet pa u ndalur sulmet e SHBA-së
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka folur për mbështetjen institucionale ndaj grave ndërmarrëse, gjatë pjesëmarrjes në panairin e gruas që po mbahet në Prishtinë.
Kusari tha se Ministria ka ndërmarrë disa aktivitete në mbështetje të grave në biznes, ndërsa ka paralajmëruar edhe iniciativa të reja që synojnë fuqizimin dhe promovimin e grave ndërmarrëse.
“Më lejoni të tregoj për disa prej aktiviteve që tashmë vetëm se janë ndërmarrë nga Ministria, por gjithashtu edhe të tjera që janë të planifikuara për gratë ndërmarrëse. Ne sapo kemi përmbyllur një konferencë tepër të suksesshme në muajin qershor për gratë në ndërmarrësi ‘She Rises’ apo ‘Ajo Ngritet’, në të cilën ishin pjesëmarrëse 300 gratë ndërmarrëse. Përmes kësaj konference kemi trajtuar jo vetëm mundësitë, por edhe sfidat që sot gratë balafaqohen për të bërë biznes, e gjithashtu edhe kemi prezantuar mekanizmat ekzistues dhe ata që po planifikojmë për të ndihmuar gratë ndërmarrëse, prej Fondit për Garanci Kreditore, tek dritarja për gratë në ndërmarrësi, tek skema e granteve në veçanti për gratë ndërmarrëse që është e mbyllur dhe tani është në proces të vlerësimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Inovacionit, e gjithashtu edhe tek vazhdimësia e mbështetjes tash në vjeshtë me konferencën rajonale për gratë ndërmarrëse, në të cilën përveç grave nga Republika e Kosovës në ndërmarrësi, janë edhe gratë nga vendet e rajonit”, tha Mimoza Kusari.
Ministrja në detyrë theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të veçanta për promovimin e produkteve të grave ndërmarrëse dhe mbështetjen e prodhimit vendor.
“Gjithashtu është shumë e rëndësishme të krijohen vende e pozicione të veçanta për promovimin e produkteve për gratë ndërmarrëse. Planifikojmë që me ligjin apo projektligjin për tregtinë e brendshme që të vendosim dispozita të veçanta në mbështetje të prodhimit vendor, por gjithashtu edhe në promovim e mbështetje të grave ndërmarrëse”, tha ajo.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të panairit, Kusari tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që vëmendja të përqendrohet te gratë që po zhvillojnë bizneset e tyre.
Ndërkaq, Silke Bellmann, zëvendësambasadore e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e hapjes së Panairit të Grave në Ndërmarrësi, teksa tha shteti i saj do të vazhdojë mbështetjen ndaj grave.
“Gjermania është krenare që mbështet këtë iniciativë përmes GIZ-it, sepse ne besojmë fuqishëm se fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm një çështje barazie, është gjithashtu një investim i mençur në Kosovë. Kur gratë kanë mundësi të barabarta për të zhvilluar biznese, për të pasur qasje në punësim dhe për të fuqizuar aftësitë e tyre profesionale, të gjithë përfitojnë. Bizneset bëhen më konkurruese e komunitetet bëhen më të qëndrueshme”, tha Bellman. /RTKlive