Kurti takon Shefin e OSBE-së, i thotë se për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duhet marrëveshje ndër-shtetërore

Kryeministri Albin Kurti ka folur serish mbi mbajtjen eventuale të zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë më 17 dhjetor.

Ai gjatë një takimi dje me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, theksoi se për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore.

“Siç e ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në një komunikatë për media.

Më 17 nëntor, kryeministri Kurti i ka dërguar një letër shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

“Sa i përket çështjes së bashkëpunimit ndërshtetëror për votimet jashtë vendit, në mënyrë që të mundësohet votimi i qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ndryshe, në takim u diskutua edhe mbi progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend.

Kurti theksoi përkushtimin e shtuar të Qeverisë ndaj komuniteteve jo shumicë dhe rritjen e mbështetjes për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), si dhe angazhimin konstant me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën e Komisionarit për Gjuhë. /KosovaPress/

Read Previous

NJË JETË NË NJË ORË: Hashim Rraci

Read Next

Hamasi zbulon detajet dhe kushtet e marrëveshjes me Izraelin