Kurti takohet me imzot Dodë Gjergji, flasin për liritë fetare dhe statusin e Kishës Katolike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Ipeshkvinë e Kosovës, ku u mirëprit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji.

Sipas njoftimit për media thuhet se në takim ata folën për Ligjin për Liritë Fetare, për bashkëpunimin e ndërsjellë, për kontributin e Kishës Katolike për paqe midis njerëzve dhe bashkim të njerëzve, dhe për nevojën e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike në Kosovë.

“Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovës për bashkëpunimin e afërt, kontributin e vazhdueshëm, dhe rolin e rëndësishëm të tyre.

Ata gjithashtu biseduan edhe për vizitën e fundit që kryeministri Kurti zhvilloi në Vatikan, ku u prit nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Paroli. Kryeministri ndau me Ipeshkvin, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji mbresat e tij nga vizita në Vatikan dhe nga takimi me shenjtërinë e tij, Papa Françesku”, thuhet në njoftim.

Më 22 qershor, kryeministri Kurti kishte realizuar vizitën e tij të parë zyrtare në Vatikan.

Në takimin me shenjtërinë e tij, Papa Françeskun, Kurti kishte biseduar për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë, si dhe e kishte ftuar atë që ta vizitojë Kosovën.

/Telegrafi/

Read Previous

Vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Read Next

FMN: Informaliteti në punësim 50 për qind në Shqipëri, shkak sigurimet e larta në pagat e ulëta