FMN: Informaliteti në punësim 50 për qind në Shqipëri, shkak sigurimet e larta në pagat e ulëta

Në Shqipëri, informaliteti në tregun e punës është gati 50 për qind dhe shkak për këtë është norma e lartë e taksimit në pagat e ulëta, evidentoi një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për taksat e punës në Ballkanin Perëndimor.

FMN vëren se informaliteti është më i përhapur në Shqipëri, sesa në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi, me rreth 50 për qind të njerëzve në marrëdhënie pune, kundrejt rreth 20 për qind mesatarisht të raportuar për dy vendet e tjera, raporton Monitor.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, një nivel i tepërt i taksave në pagat e ulëta është pengesa kryesore për formalizimin dhe gjithë përfshirjen e punësimit, veçanërisht për gratë, analizon Fondi.

Korrigjimi i kësaj anomalie tatimore te personat me paga të ulëta mund të arrihet para së gjithash nga reduktimin e kontributeve të sigurimeve, duke zhvendosur pjesërisht financimin e pensioneve dhe programeve shëndetësore në baza të tjera tatimore.

Një reformë e tillë mund të perceptohet si reduktim i përfitimeve për arkën e pensioneve, tani kur lidhja kontribut-përfitim është e dobët, sidomos në Shqipëri, por një reformë e tillë do të mund të rriste formalizimin e vendeve të punës.

Taksimi i punës në Ballkanin Perëndimor mund të zhvillohet në kontekstin e secilit vend sugjeron FMN, por, taksimi i punës në Ballkanin Perëndimor përballet me sfida të dyfishta të barazisë dhe efikasitetit.

Siç është raportuar kapaciteti i taksimit të punës është i ulët në raport me standardet ndërkombëtare. Kjo rrjedh nga progresiviteti i kufizuar i Tatimit mbi të Ardhurat (TAP) dhe normat e larta dhe të sheshta të Sigurimeve Shoqërore.

Reformat ndaj TAP-it do të ishin të nevojshme në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi, ku norma më e lartë (10 për qind) është shumë e ulët.

Maqedonia e Veriut, me një normë më të lartë (18 për qind), duhet të ulë normën për punëtorët me të ardhura të ulëta (kjo do të përmirësonte progresivitetin dhe do të lehtësonte taksimin në nivele të ulëta të pagave).

Për Shqipërinë duhet të ulet norma e kontributeve për pagat e ulëta, pasi është evidentuar si pengesë për formalizmi sidomos në punonjësit e rinj.

Reduktimet e normave të kontributeve janë më të vështira për t’u reformuar kur ato kontribuojnë drejtpërdrejt në të ardhurat e lidhura me pensionet.

Kontributet që sjellin përfitime universale, të tilla si aksesi në kujdesi bazë shëndetësor ose përfitimet minimale të pensionit, mund të shihen si pothuajse taksa dhe nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të mbledhura nga të ardhurat nga puna. Instrumentet e taksave indirekte si TVSH-ja dhe taksat mjedisore mund të përdoren pjesërisht për kompensimet, sugjeron Fondi.

/Telegrafi/

Read Previous

Kurti takohet me imzot Dodë Gjergji, flasin për liritë fetare dhe statusin e Kishës Katolike

Read Next

Osmani e gatshme të bashkëpunojë me UNDP-në