Kurti: Regjistrimi do të na ndihmojnë në orientimin e politikave më të mira

Takimi i sotëm i kryetarëve të komunave me kryeministrin Albin Kurtin, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera ka pasur kryefjalë nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave në Republikën e Kosovës ka filluar sot. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelet e edukimit do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët neve si qeveri, juve si komuna dhe çdo institucioni”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se nisma e pyetësorit të dëmeve nga lufta në ekonomitë familjare është në shërbim të ruajtjes dhe mbrojtjes të kujtesës kolektive.

“Qytetarët do të mund të deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara si dhe dëmet e njerëzve, familjarët e vrarë, të plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999”, ka thënë kryeministri, transmeton RTKlive.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se regjistrimi i popullsisë është pasqyrë për shumë aspekte të mbështetjes sociale e ekonomike ndaj qytetarëve.

“Ky proces nuk është procedurë burokratike, është gurthemel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shtetëror. Duke regjistruar me saktësi informacionin demografik, do t’i shërbejmë më mirë qytetarëve tanë, do të promovojmë sigurinë publike si dhe të nxisim zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, ka thënë Krasniqi.

Atdhe Hetemi, drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ka bërë thirrje të ndarjes së dokumenteve dhe dëshmive nga lufta.

“Duke punuar së bashku jo veç që nderojmë  të kaluarën dhe viktimat e saj, por gjithashtu ndërtojmë një të ardhme të ndritur të bazuar në të vërtetën historike dhe në drejtësi”, ka thënë Hetemi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka dhënë detaje nga pjesa dokumentuese e këtij procesi, transmeton RTKlive.

“Gjatë regjistrimit do të ketë edhe një modul, ku janë pesë pyetje për dëmet e luftës. Kjo është nevojë sepse shtetet që dalin pas luftës e aplikojnë gjatë regjistrimit të popullsisë. Kroacia e ka pasur luftën disa vjet para nesh, e ka aplikuar në vitin 2011, për befasi e ka aplikuar edhe në vitin 2021”, ka deklaruar ai. /RTK/

Read Previous

Anthony Joshua zbulon se kur do të tërhiqet nga boksi

Read Next

Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Dënime nga 20 deri në 2000 euro për qytetarët që nuk regjistrohen